Hapja e dosjeve sipas modelit “gjerman”, Krasniqi: Ta miratojmë sa më shpejt

Politologu Afrim Krasniqi shprehet pro variantit të qeverisë për të hapur dosjet sipas modelit “gjerman”. Përmes një postimi në profilin e tij në facebook, Krasniqi thekson se Shqipëria, është i vetmi vend i cili prej 24 vitesh ende nuk është ndarë zyrtarisht nga e kaluara në diktaturë. Sipas tij, 13 vite qeverisje e djathtë dhe 11 vite qeverisje e majtë prodhuan shumë retorike, por asnjë iniciativë serioze që bën ndarje ligjore dhe institucionale me periudhën komuniste.

“Zakonisht janë bërë ligje me qëllim antikushtetuese ose me qëllim të pazbatueshme, dhe tani, ofrohet modeli gjerman, hapje e dosjes për çdo individ sipas kërkesës së tij, dhe publikim të dosjes (nëse ka) për çdo zyrtar që pretendon poste publike e politike, nga drejtuesit në universitete e dikastere të mesme, deri tek kreu i shtetit! Nëse e refuzojmë nismën, humbim një shans për ndryshim të gjendjes. Nëse e debatojmë atë dhe sugjerojmë rrugëzgjidhjen më të mirë, kemi një shans më shumë për zgjidhjen e saj. Unë jam për variantin e dytë”, shprehet ai.

Për politologun Afrim Krasniqi,drafti i paraqitur nga qeveria duhet diskutuar dhe miratuar shpejt .

“Ta diskutojmë dhe ta miratojmë, sa më shpejt, sa më plotë, sa më transparent, sa më profesional, sa më “gjerman”, në mënyrë që të shkojmë tek zgjidhja më e mirë. Përndryshe, refuzimi apriori apo e folura pa menduar më parë, gjykimi pa lexuar dhe rendja për të baltosur apriori nismat e tjetrit, nuk bëjnë asgjë përveçse mbajnë peng dosjet, dhe me to, të kaluarën dhe të ardhmen tonë”, thekson Krasniqi.

SHKARKO APP