Hapja e dosjeve/Veliaj: Proces i vonuar, do ndjekim modelin gjerman

Proces të vonuar e ka cilësuar ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj hapjen e dosjeve të diktaturës, ndërsa shprehu vullnetin dhe angazhimin e Qeverisë për ta bërë tani për të mos lënë në harresë të kaluarën.

Veliaj ishte i pranishëm në një tryeze të mbledhur mbi adresimin e çështjes së dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit.

Ai u shpreh se ky proces është i vonuar dhe në këtë drejtim shoqëria shqiptare ka dështuar deri më tani në njohjen e të vërtetave që mbart e kaluara.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas ministrit të Mirëqënies Sociale, viktimat e komunizmit dhe pasardhësit e tyre meritojnë të dinë të vërtetën për të mos lënë në harresë krimet e regjimit komunist, pasi siç tha ai, ajo kohë i përket historisë tashmë.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Vetëm përballja me të vërtetën mundëson konsolidimin e lirisë. Kanë vazhduar pa reshtur përpjekjen për të mbajtur gjallë këtë debat. Ne në këtë vend mund të mos biem dakord për shumë gjëra, por duhet ta pranojmë se shoqëria shqiptare ka dështuar të njohë të vërtetat e të shkuarës komuniste.  

Ndërkohë që nuk kemi recetë të gatshme, jemi të vendosur për të përfituar nga eksperienca gjermane në trajtimin e kësaj çështje. Jam i lumtur që ky qëndrim ndahet nga përfaqësues të shoqërisë civile. Kemi arritur në këtë konkluzion mbi të gjitha për shkak të modelit që Gjermania ka vendosur për trajtimin e së shkuarës.

Shumë shoqëri kanë vënë në pikëpyetje nëse përballjas me të shkuarën i bën mirë demokracisë. Gjermani i është përgjigjur dy herë rresht po, një herë në përfundim të Luftës së Dytë Botërore dhe herën e dytë në rënien e Murit të Berlinit.

 Një përballje e tillë mund të merret e mirëqenë sot pas dy dekadave, por nuk ka qenë aspak e tillë.  Edhe sot që flasim, shumë shoqëri zgjodhën heshtjen për përballjen delikate me të shkuarën. Shoqëri të tilla si e jona, kanë zgjedhur të heqin një vizë të trashë të shkuarës. Komunizmi tashmë është histori.

Çdo shoqëri që ka zgjedhur rrugën e harresës vazhdon të ketë probleme të funksionimit të shtetit sot. Nisur edhe nga deklaratat e kryeministrit Edi Rama pak ditë më parë, shpreh vullnetin e qeverisë për hapjen e dosjeve”, tha Veliaj.

Ministri i Mirëqënies Sociale theksoi se tani është koha për të hapur dosjet, duke shtuar se ky është një proces i vonuar. Sipas Veliaj ky është një borxh që shteti shqiptar ua ka viktimave të regjimit komunist. Por sipas Veliaj krahas kësaj kjo është edhe përgjegjësi e çdo personi i cili para se të kërkojë një post, duhet të ketë transparente asocimin e tij me të shkuarën komuniste.

"Kur është momenti që një shoqëri të përballet me të shkuarën? Duke mirëkuptuar çdo person dua të them se koha është tani, në mos ka kaluar.

Jemi tashmë vonë në këtë përpjekje ndërsa dëshmitarët e përjetimit të luftës po treten. Ua kemi borxh viktimave të komunizmit.

Çdo viktimë e komunizmit dhe pasardhës i tij ka të drejtën të dijë të vërtetën. Kjo transparencë kërkon përgjegjësi se çdo person që kërkon post ta bëjë të qartë asocimin e tij me të shkuarën si detyrim për tu dhënë besim institucioneve para publikut.

Tashmë ekziston një praktikë ligjore e mirëpërcaktuar të cilat përcaktojnë kritere të qarta në trajtimin e çështjes së lustracionit", u shpreh Veliaj.

Lidhur me mënyrën sesi do të realizohet ky proces, ministri Veliaj tha se për këtë do të merret shembulli i Gjermanisë.

Në këtë mënyrë Veliaj tha se do të ngrihet një komision ky pjesë e tij do të jenë personat më të njohur dhe me integritetin më të lartë në vendin tonë, dhe që do të verifikojnë 4 mijë fashikujt e regjimit komunist.

"Si do të bëhet ky trajtim? Edhe në këtë çështje mazhoranca është dakordësuar për të marrë shembullin e Gjermanisë.

Tashmë ngritja e një institucioni të tillë si në Gjermani bëhet e domosdoshme se sipas informacionit paraprak ka mbi 4 mijë fashikuj të ruajtur dhe që nevojiten t’i nënshtrohen një verifikimi të plotë bazuar në eksperiencën ndërkombëtare. Kush do ta bëjë këtë trajtim?

Më lejoni të shpreh vullnetin e qartë të shoqërisë për ta mbajtur larg çdo ndikimi politik, me një integritet të lartë profesional. Ajo që ne propozojmë është ngritja e një institucioni të besueshëm të përbërë nga figura të larta, të respektuara dhe të njohur për integritetin e tyre në vendit tonë.

Nuk kemi asnjë dyshim se kjo do të kërkojë vullnet të mirë të gjithë shoqërisë shqiptare", theksoi Veliaj./

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?