Hapja e kutive të Beratit, kandidati i LSI-së: Zgjedhjet e 25 Prillit u vodhën, tmerrësisht dhe dhunshëm
Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve ka hapur kutitë e parë të kontestuara të materialeve zgjedhore në Qarkun e Beratit, ku Lëvizja Socialiste për Integrim nuk e mori mandatin e deputetit vetëm për 77 vota.
Gjatë këqyrjes janë evidentuar parregullsi dhe mungesë të materialeve, ku në disa prej tyre mungon raporti i PEI, procesverbalet e pjesëmarrjes në votim, mospërputhje në numrin e votuesve, fletë të dëmtuara, si dhe me mungesën e listës së zgjedhësve.
LSI dhe PD kanë kërkuar që të përsëriten zgjedhjet në këtë qark pasi, sipas tyre, ka pasur shkelje të rënda gjatë ditës së votimit ashtu edhe në procesin e numërimit.
Në këtë qark, me kryqëzimin e të dhënave rezultojnë 57 raste të dyshimta sipas KQZ-së, ku më së shumti problematike shfaqet shenja e gishtit dhe votimi më shumë se një herë.
Lidhur me këtë çështje një reagim i fortë vjen dhe nga kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Beratit, Blenard Nonaj, i cili përmes rrjeteve sociale deklaron se zgjedhjet e 25 Prillit u vodhën, tmerrësisht dhe dhunshëm nga ana e socialistëve.
“Zgjedhjet e 25 Prillit u vodhën. Tmerrësisht dhe dhunshëm. Në qarkun e Beratit u krye një masakër zgjedhore! Një masakër që deformoi dhunshëm vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë.
Faktet janë aty! Provat janë aty! Dolën në shesh dhe u provuan shkencërisht dhe ligjërisht. Sot. Në KQZ. Në sytë e të gjithëve.
Mungesa e aparatit të identifikimit elektronik të zgjedhjeve, mangësitë në dokumentacion dhe proces-verbale, si dhe vërtetimi që të paktën 19 persona kanë votuar 53 herë janë dëshmi të forta dhe të pakundërshtueshme të manipulimit të turpshëm që u janë bërë zgjedhjeve në Qarkun e Beratit.
Dhe kjo eshte vetem maja e ajsbergut, pasi keto fakte kane dale vetem nga hapja e nje numri te vogel kutish. Imagjinoni nese hapen te gjitha kutite ne Qarkun e Beratit!
Imagjinoni nese hapen te gjjtha kutite ne cdo Qark te Shqiperise!
Kjo eshte nje padrejtesi e madhe qe u eshte bere qytetareve te Beratit. Masakra zgjedhore e 25 Prillit eshte vertetuar! Drejtesia duhet te flase!”, shprehet Blenard Nonaj.