Harta e re gjyqësore, Gjiknuri: Ofron zgjidhje më të mira në shërbim të njerëzve
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri tha sot se harta e re gjyqësore ka respektuar rekomandimet e Kuvendit. Në fjalën e tij në Komisionin e Ligjeve, ku u diskutua raporti i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Gjiknuri tha se harta e re ka më shumë anë pozitive se anë negative.
“Rregullimi i hartës, rishpërndarja e gjyqtarëve të cilët do të menaxhojmë fluksin do të sjellë më shumë eficencë, m ë shumë llogaridhënie, më shumë standardizim. Standardizimi e bën më të thjeshtë dhe për palët për të kuptuar le të themi integritetin e procesit gjyqësor dhe mbi të gjitha do të krijojë zgjidhje më të mira në shërbim të publikut. Pastaj çdo gjë tjetër patjetër ka balancë. Unë them se ju nuk keni bërë gjë tjetër përveçse keni zbatuar ligjin dhe e keni bërë atë në kohë. KLGJ e ka kryer misionin e saj Kushtetues, ka menaxhuar procese të vështira dhe rekomandimet e Kuvendit janë marrë parasysh dhe ajo që mbetet me interes është se si do të zbatohet harta e re gjyqësore, nëse do të rrijë te varianti final që besoj i tillë do jetë. Do kemi mundësi vitin tjetër për të parë dhe mënyrën se si u hartua”, tha Gjiknuri.
Ai nënvizoi se harta e re do t’i shërbejë reduktimit të çështjeve dhe menaxhimit të fluksit të konflikteve që dalin.