Hashim Thaçi në shënjestër të një atentati?

Shërbimet inteligjente të Malit të Zi si dhe Forcat e Sigurisë janë vënë në gjendje te gatishmërisë së lartë me rastin e vizitës së zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për shkak të informacioneve që Thaçi mund të jetë objekt i një atentati nga qarqet nacionaliste serbe, konfirmojnë burime të IndeksOnline. Kjo ka ndikuar edhe në ndryshimin e agjendës dhe shtim të personelit të sigurisë gjatë vizitës.

Shoqatat serbe si dhe ato pro- ruse kundër NATO-s, ndihmuar nga Kisha Ortodokse serbe, kanë paralajmëruar protesta kundër vizitës së ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Por, e tërë situata është bërë shumë më serioze me informacionin që kanë siguruar shërbimet e sigurisë së Malit të Zi se delegacioni kosovar mund të jetë objekt i një sulmi.

Edhe një fjalim mbi NATO-n i zëvendëskryeministrit të Kosovës, që pritej të mbahej në Podgoricë, është anuluar për shkak të rrezikut të lartë.

Vizita e Hashim Thacit në Malin e Zi ka marrë karakter presidencial pasi ai do të vendoset në një nga rezidencat që dikur shfrytëzoheshin nga ish- lideri jugosllav, Josip Broz Tito, dhe ku tani vendosen rregullisht krerët e shteteve që e vizitojnë Malin e Zi.

Në agjendë ka takime me presidenti Vujanoviç, kryeministrin Gjukanoviç, zëvendëskryeministrin Lukshiç dhe kryeparlamentarin e Malit të Zi, Krivokapiç.

SHKARKO APP