Haxhinasto: Kodi Rrugor, i hapet rrugë sistemit të pikëzimit të patentave
Ministri i Tranportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, deklaroi të enjten se me ndryshimet në Kodin Rrugor i hapet rruge sistemit te pikezimit te patentave. Duke folur në Kuvend gjatë diskutimit disa ndryshimeve në Kodin Rrugor, Haxhinasto tha se do të vendoset sistemi i pikëzimit të lejeve të drejtimit, që do të sjellë përgjegjësi më të madhe nga ana e drejtuesve të automjeteve. Ministri Haxhinasto vuri në dukje se parashikohet të përmirësohet më tej edhe teknologjia e informacionit për ta bërë procesin e marrjes së lejes së drejtimit të pamanipulueshëm. “Kodi ka vendosur si kërkesë të domosdoshme përdorimin e ndejtëseve të posaçme për fëmijët. Nga dita që Kodi hyn në fuqi, fëmijet duhet të trajtohen në mënyrë të posaçme për sa kohë do të qëndrojnë në automjet”, deklaroi Haxhinasto. Ministri informoi po ashtu se Kodi parashikon shtim të penaliteteve për të gjithë ata që ndërhyjnë në mënyrë të paligjshme në rrugë. “Ka një ndikim të jashtëzakonshëm në amortizimin e vlerës së rrugës, ashtu si dhe në shtimin e aksidenteve çdo ndërhyrje e paligjshme”, tha ai. Edhe vendosja e reklamave, tha ministri, do të jetë e kontrolluar. Ministri foli edhe për propozimin e disa deputetëve për kryerjen e kontrollit teknik të automjeteve nga distributorët ligjor të automjeteve. Ai informoi se ky shërbim realizohet nga një kontratë koncensionare nga kompania SGS. Sipas ministrit, përpara se të ndërhyjmë në kontratën e këtij koncensionari duhet të shikojmë zbatimin e kontratës që kemi me këtë kompani, pasi kompania ka eksluzivitetin e këtij shërbimi. “Çdo ndërhyrje do të kishte konflikt ligjor me këtë kontratë që ka vlerat e ligjit”, tha ministri.