Haxhinasto: LSI mbetet e qartë për sa i përket transformimit dhe ristrukturimit të sektorit fason

Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi këtë të enjte një tryezë për industrinë fasone në Vlorë. Gjatë fjalës së tij, hartuesi i programit ekonomik të LSI-së Edmond Haxhinasto deklaroi se Vizioni i LSI ka qenë dhe mbetet i qartë për sa i përket transformimit dhe ristrukturimit të këtij sektor të rëndësishëm të ekonomisë sonë.

“Falënderoj të gjithë të pranishmit në këtë tryezë. Takimin e sotëm ne si LSI e organizojmë duke pasur parasysh masat anti-covid, ndaj ju falënderoj për këtë durim dhe respektim të protokolleve. Është një takim që ne e organizojmë pas takimit që kemi bërë në Berat me përfaqësues të industrinë fasone edhe atje. Industria fasone është e shtrirë në të gjithë vendin. Problematika është e njëjtë, por edhe vizioni për ta transformuar dhe ristrukturuar këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë sonë është gjithashtu i njëjtë. Ne kemi ndarë që në fillimin vizionin me vlerësimin që industria ka për sa i takon problematikës së madhe për humbjet e mëdha të vendeve të punës që kanë ndodhur veçanërisht gjatë pandemisë, ku janë mbi 25 mijë vende pune. Vështirësitë e mëdha që ka pasur çdo operator, çdo punëdhënës në këtë industri. Rreth 1/3-a e tyre është duke mbijetuar me vështirësi, duke i bërë ballë falimentimit. Po kështu ka pasur edhe një humbje të jashtëzakonshme përsa i takon realizimit të të ardhurave, ku janë mbi 130 milion euro humbje në këtë periudhë dhe vështirësia është akoma akute. Sot kemi vështirësi të cilët duhet të përballohen dhe përballemi me një mungesë vizioni, plani, projekti nga ana e mazhorancës, gjë që do të marrë fund më 25 prill. Mbështetjen për industrinë fasone ne e shikojmë jo si një çështje vetëm të mbajtjes së njerëzve të punësuar, po e shikojmë në kuadër të një vizioni më të gjerë të ristrukturimit të ekonomisë shqiptare drejt prodhimit, drejt rritjes së të ardhurave për çdo të punësuar, drejt përmirësimit të bilancit të import – eksporteve. Pra, e shohim në kompleks dhe si një sektor i cili ka edhe një potencial, që nuk është shfrytëzuar akoma. Po kështu, ne e shohim edhe në kuadër të potencialit që kanë tregjet evropiane për të thithur mallrat shqiptare, sigurisht në një kategori dhe në një segment të respektuar të tregut evropian. Për të gjitha këto ne realizojmë këtë takim. Unë jam i bindur që do të paraqitet nga përfaqësuesit e industrisë edhe plani që tashmë mbështetet plotësisht nga ana e LSI-së, kjo mbështetje është shprehur që në takimin e Beratit nga kryetarja e LSI, znj. Kryemadhi. Z. Vasili gjithashtu në emër të LSI-së ka paraqitur me detaje të gjithë zërat me të cilat ne e mbështesim këtë plan”, tha Haxhinasto.

SHKARKO APP