Heronjtë e termetit, Meta nderon me Dekoratën e Artë të Shqiponjës ekipin e kërkim-shpëtimit nga Kosova
Kosova ishte e para që ju gjend pranë Shqipërisë në tragjedinë e tërmetit të 26 nëntorit.
Ishin grupet e kërkim-shpëtimit nga Kosova që mundësuan shpëtimin e dhjetëra njerëzve nën rrënoja.
Për heroizimin dhe solidaritetin vëllazëror, Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me Dekoratën e Artë të Shqiponjës Task Forcën e Kombinuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, Ekipit të Zjarrfikësve të Kosovës, Njësitit K9 të FSK-së, Ekipit të Koorporatës Energjetike, Njësitit të Çetës së Shpëtimit të Minierës së Artanës si dhe Njësitit të Çetës së Shpëtimit të Minierës së Trepçës.
Në fjalën e tij Presidenti Meta ndërsa nuk kurseu falenderimet për shtetin dhe popullin e Kosovës, tha se termeti provoi se themelet e solidaritetit mbarëshqiptar janë më të forta se kurrë.
“Kosova duhet të jetë krenare për Forcat e Sigurisë së saj por edhe të policisë që demonstruan profesionalizëm të lartë dhe bashkëkohor. Ju shpëtuat shumë jetë, ndihmuat shumë të lënduar dhe na u gjendët pranë në momentet më të vështira”, tha Meta.