”Heshti kur Greqia i hëngri 12 milje det”/Shpëtim Idrizi: Rama do babëzinë, jo Çamërinë

Kreu i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, zhvilloi këtë të martë një takim me strukturat në Elbasan. Idrizi theksoi se PDIU-ja është në koalicion vetëm me PD-në. ”Kemi shumë arsye për të qenë në këtë aleancë së bashku. Po e përsëris, PDIU-ja është në koalicion vetëm me Partinë Demokratike. Jam i detyruar ta theksoj këtë gjë, sepse gjatë këtyre ditëve kam parë “Tiren e Shqipërisë” dhe “Tiren e Tiranës”, që bëjnë sikur shqetësohen se ne qenkemi bashkë me grekët. Në fakt, kur e kishin PBDNJ-në në koalicionin e tyre nuk ishte ndonjë hata, madje ishte shumë mirë”, u shpreh Idrizi.

Nga ana tjetër, ai theksoi se nuk ka shqiptar që harron sesi kryeministri Rama është kthyer në mikun e ngushtë të homologut të tij grek dhe hesht kur Greqia zgjerohet me 12 milje në ujërat e Detit Jon.

”Si miku më i mirë i kryeministrit të Greqisë, që vetëm në kohët e fundit ka shkuar për të ngrënë një drekë dhe një darkë të bukur, heshti kur Greqia i hëngri 12 milje, siç hëngrën këta më të babëziturit biftekun e Nustretit në Dubai. Ne nuk harrojmë se si ky njeri pasi shiti detin dhe nuk i doli për Zot, bëri varrezat e ushtarëve grekë që erdhën si pushtues në Shqipëri, ndërsa harroi varrezat e shqiptarëve të Çamërisë. Asnjë nga ne nuk harron, sesi, si greku më i mirë hesht për Ligjin e Luftës që Greqia mban në fuqi. Sidomos ne shqiptarët e Çamërisë nuk harrojmë faktin që hoqi nga programi i qeverisë Çështjen Çame”,-nënvizoi Idrizi.

I pranishëm në takim, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike dhe i deleguari i saj për Elbasanin, Gazmend Bardhi, tha se shqiptarët e Çamërisë kanë zhvilluar beteja të rëndësishme për të ruajtur identetin kombëtar. ”Prandaj dhe në betejën e 25 prillit duhet t’i japim një mesazh Edi Ramës, që mendon se ka votat apo kauzën tuaj në xhep dhe mund të përdorë atë për interesa personale. Ky model në politikë merr fund më 25 prill dhe ne jemi bashkuar sepse e duam Shqipërinë dhe duam të jetojmë këtu”, theksoi ai.

SHKARKO APP