Hetimi i SPAK, Bushati: Jam i qetë, pronat mi la babai!
Ervin Bushati është deputeti i parë socialist që hetohet nga SPAK-u, pasi Partia Demokratike e denoncoi për mosdeklarim të pasurisë dhe falsifikim të dokumenteve. I ftuar në Radarin Informativ në “ABC” përballë gazetares Jonida Shehu, ai u shpreh i pashqetësuar, ndërsa deklaroi se nuk ka punuar asnjë ditë në shtet dhe në ekzekutiv dhe se pronat i ka të gjitha të trashëguara nga familja. Bushati tha se SPAK-u nuk ka konfirmuar hetimin kundër tij, por i ktheu përgjigje PD-së duke i thënë se “e kemi këtë çështje”.
Pjesë nga intervista e Ervin Bushatit në “ABC”
Zoti Bushati, si e keni përjetuar këtë pjesën e akuzave dhe deklaratën e ambasadores së SHBA-së Yuri Kim?
Nuk e di sa interesohen qytetarët, por shkurt dua të them….
Patjetër që u intereson….
Kjo është një iniciativë e PD-së, kam që në 2011 që i kam deklaruar të gjitha. Në 2017 me iniciativë të PD, ka dërguar dy çështje ndaj meje, kur u hapën diskutimet për taksën e kunatit të Bashës, një e ka humbur, tjetra u mbyll në prokurori. PD nuk e pranoi mbylljen dhe e çoi në SPAK. Unë nuk kam punuar në role ekzekutive, nuk kam vendosur asnjë pasuri në politikë, pasi janë prona të familjes. PD ka degraduar duke u marrë me çështje private, të familjes, të trashëguara nga im atë.
Ku e ka fillesën, ndonjë pasaktësi në deklarim në ILDKPKI?
Nuk ka asnjë pasaktësi. Prandaj është mbyllur nga prokuroria, ata e kanë vazhduar, unë kam besim në drejtësi, le të shkojë deri në fund…
7 pasuritë që PD-ja akuzoi Ervin Bushatin se nuk i deklaroi
- Një pasuri me sipërfaqe 938 m2 truall, në Tiranë, e regjistruar më 21.04.2017.
- Një pasuri me sipërfaqe 600 m2 truall, me sipërfaqe ndërtimi 327 m2, në Tiranë, e regjistruar më 21.04.2017.
- Një pasuri me sipërfaqe 938 m2 truall, në Tiranë, e regjistruar më 25.07.2014.
- Një pasuri me sipërfaqe 76 m2, ndërtesë, në Qerret, Kavajë, e regjistruar më 30.05.2016.
- Një pasuri me sipërfaqe 376 m2 truall, në Qerret, Kavajë, e regjistruar më 30.05.2016.
- Një pasuri me sipërfaqe 660 m2 truall, në Sarandë, e regjistruar më 17.07.2014.
- Një garazh me sipërfaqe 42 m2, në Sarandë.
/Abcnews.al