Ambasadorja amerikane, Kim për arrestimet e bujshme: Nuk do të jetë veprimi i fundit i SPAK
Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka përshëndetur operacionin e SPAK për zbardhjen e dy vrasjeve të bujshme të 15 viteve më parë për të cilat akuzohen eksponentë të rëndësishëm të botës kriminale në vend.
Përmes një postimi në twitter, Kim shkruan se SPAK ka marrë përsipër një rast tjetër të madh të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Sipas saj, ky nuk është veprimi i parë i tillë nga SPAK, dhe nuk do të jetë i fundit.
“Shpresojmë që SPAK do të vazhdojë të demonstrojë forcën, integritetin dhe aftësinë e tij përmes veprimeve të tilla” shkruan Kim.
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka njoftuar zbardhjen e atentateve të 15 viteve më parë ku mbetën të vrarë Klodian Saliu, i njohur si rivali i Lulzim Berishës dhe biznesmeni Vajdin Lamaj, ish zëvendëspresident i Federatës së Mundjes.
Sipas njoftimit të bërë publik nga SPAK, për këtë ngjarje akuzohet Emiliano Shullazi, Indrit Taullau, Lul Berisha dhe dy persona të tjerë.