Himara nesër në zgjedhje, policia: Garantojmë që e drejta e votës të jetë e lirë! 52 efektivë ruajnë 36 qendrat e votimit
Nesër në Himarë mbahen zgjedhjet e parakohshme për kryebashkiak. Policia e Shtetit informon se ka marrë edhe masat e duhura për mbarëvajtjen e procesit, ruajtjen e qendrave dhe trajnimin e efektivëve për procesin. KQZ ka miratuar edhe listën e punonjësve të Policisë, që do të angazhohen në procesin zgjedhor. 52 punonjës policie do të sigurojnë materialet zgjedhore në 36 qendrat e votimit.
“Në Komisariatin e Policisë Himarë, Drejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike dhe Shefi i Sektorit të Rendit në Departamentin e Sigurisë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, së bashku me Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike në DVP Vlorë dhe Shefin e Komisariatit të Policisë Himarë, zhvilluan instruktazhin me punonjësit e Policisë të angazhuar me detyra në procesin zgjedhor. Punonjësve të Policisë iu komunikuan detyrat që ka secili prej tyre për ruajtjen e qendrave dhe materialeve të votimit, si dhe masat e ndërmarra me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike dhe mbarëvajtjen e procesit gjatë procesit zgjedhor të datës 04 Gusht 2024”, thuhet në njoftimin zyrtar.
I gjithë personeli policor i angazhuar me detyra gjatë procesit zgjedhor është i trajnuar për detyrat që ka dhe që kryen gjatë procesit zgjedhor. Policia ka edhe një apel për forcat politike dhe qytetarët: Në këtë kuadër, apelojmë për të gjithë qytetarët dhe subjektet e përfshira në këtë proces që të respektojnë plotësisht të gjitha detyrimet ligjore me të cilat i ngarkon Kodi Zgjedhor dhe ligjet e tjera.
23 mijë e 74 qytetarë të Himarës do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur mes dy kandidatëve, Vangjel Tavo i socialistëve dhe Petro Gjikuria i opozitës. Në total do të jenë 36 qendra votimi në Himarë, që do të hapen në orën 07:00 dhe do mbyllen në 19:00 deri kur të largohet votuesi i fundit.