Hiqet skaneri në Portin e Durrësit? Rama: Do të ketë kontrolle të befasishme

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me përfaqësuesit e bizneseve të transportit në portin e Durrësit. Duke vënë theksin te procesi i eksporteve shqiptare dhe fluksi i ngarkesave, tha se do të ulet numri i kontrolleve për daljet nga porti. Mund të ketë herë pas here kontrolle të befasishme.
”Shteti skanon kamionët për çështje sigurie, të luftës së kontrabandës. Është detyrë e shtetit. Duke pasur parasysh tanimë një kurrikulum të kompanive tuaja, natyrën e aktiviteteve tuaja, kontributet tuaja si taksapagues, ne do të fillojmë të operojmë jo më në bazë të kontrollit 100%, por në bazë rrisku.
Nga 100 dalje nga porti, vetëm në 10 raste do të bëhet skanimi. Është shifër e arsyeshme si fillim dhe më pas mund të kalojmë në një skemë jo transparente, por në numër më të vogël kontrollesh, por ama të befasishme.
Përtej kostos marramendëse që ka ky koncesion, e ka të mirën dhe duhet ta themi, që e ka ulur në mënyrë të ndjeshme kontrabandën. Sot fola me drejtorin e Doganës, i thashë është një gjë për t’u bërë dhe mesa di do firmoset që e bën fakt këtë gjë. Nga sot, ju të keni këtë lloj regjimi”.