Historiani shuhet nga Covid-19, Meta: Si ish-student i Tij, ruaj respektin për komunikimin e ngrohtë dhe njerëzor
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta e prof.Llambro Filo, pedagogu veteran i Departamentit të Historisë. Teksa vlerëson kontributet që dha Filo si intelektual, kreu i shtetit edhe si një ish-student i tij, thotë se kujtimi i profesorit do të jetë i paharruar.
Mesazhi i plotë nga Presidenti Ilir Meta
Një tjetër lajm i trishtë më hidhëroi sot, ndarja nga jeta e njërit prej Profesorëve të mi të dashur, Llambro Filo, pedagogut veteran të Departamentit të Historisë.
Si ish-student i Tij ruaj respektin më të thellë për komunikimin e ngrohtë dhe njerëzor si mësimdhënës, për aftësitë e spikatura pedagogjike, por edhe si një intelektual me vlera të larta shoqërore dhe qytetare, me kontribut të shquar në fushën e Historisë, së cilës i kushtoi gjithë jetën e Tij.
Duke ndarë dhimbjen me familjen Filo, të afërmit, komunitetin e nderuar të historianëve dhe të gjithë studentët e shumtë të Tij, ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Lamtumirë i dashur Profesor! I paharruar kujtimi!