Historiani zbulon kush e hodhi idenë për “Mini-shengenin”: Vuçiç kavalieri, Rama është dama
Historiani, Apollon Baçe, i ftuar në emisionin “360 Gradë” në RTV Ora, deklaroi se minishengeni nuk është ide e Gjermanisë por e komunistit bullgar Gjergj Dimitrov.
Duke e cilësuar të gjithën një lojë diplomatike, Baçe tha se “kjo është një tango ku Vuçiç është kavalieri dhe Rama dama”.
“Nuk është e Merkelit, kjo është një ide e Gjergj Dimitrov që donte ta bënte këtë një nga shkaqet e ndarjes me Stalinin, e Demaçit që donte të bënte Iliriadën. Janë normale, por pa Kosovën nuk mund të bëhet. Kemi të bëjmë me një kavalier dhe damë që kërcejnë tango, kavalieri është Vuçiçi, ndërsa dama është zotnia jonë.Vuçiç luan një lojë që ky e ndjek.
Në nëntor të 2019, Vuçiç te Spigel thotë se Kosova e sheh veten si shtet, por ne nuk e shohim të tillë dhe nuk është e tillë. Provokimi i parë. Më vonë thotë se Reçaku është sajim. Ky nxjerr nga loja Kosovën. Këtë lojë e ndjek Rama.
Rama thotë se Kosova është pjellë, si viçi që e pjell lopa, mbi të gjitha e luftës me bomba të SHBA dhe shumë prej vendeve të mëdha të BE. Këto janë fjalë të Vuçiçit dhe Lavrovit. Ky ka nxjerrë nga loja Kosovën. Vuçiç fiton kohë dhe ky e ndjek fare bukur. Këto janë lojëra diplomatike. Kosova thotë se nuk do të marr pjesë, ndërkohë që e ka detyruar ai të mos marrë pjesë”, u shpreh Baçe, i ftuar në emisionin “360 Gradë” në RTV Ora.