Holanda dhe Danimarka, pro metodologjisë së re të zgjerimit

Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe liderë të Bashkimit Europian takohen sot në mbrëmje në Bruksel për të përgatitur samitin e Zagrebit(5- 7 maj), që do t’i përkushtohet perspektivës së zgjerimit të Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor.

Samiti jozyrtar i Brukselit i thirrur nga presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, do të fokusohet te diskutimi i metodologjisë së re të zgjerimit të prezantuar nga Komisioni Europian në 5 shkurt. Aty do të marrin pjesë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian, Joseph Borrel dhe kryeministi I Kroacisë, Andrej Plenković.

Samiti jozyrtar për Ballkanin zhvillohet në një atmosferë pozitive për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian.

Siç e kishte paralajmëruar kryeministri  kroat Plenkoviç në 9 janar, Franca do të kishte një evolucion pozitiv nëse  metodologjia e re e Komisionit Europian për zgjerimin do të mirëpritej nga Franca.

Franca ka treguar që mirëpret propozimin e metodologjisë së re të Komisionit Europian dhe pret tashmë raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në konferencën e sigurisë së Mynihut të 15 shkurtit, presidenti francez, Emmanuel Macron ka deklaruar se nëse vlerësimi i Komisionit Europian për përparimet e reformave në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri është pozitiv, atëherë Franca do të jetë pro hapjes së negociatave me të dy vendet.

Burime të Bashkimit Europian në Bruksel janë shprehur për “ABC News”, se metodologjia e rishikuar e zgjerimit mirëpritet edhe nga Holanda dhe Danimarka. Por për të dhënë dritën jeshile, të dyja vendet presin raportin e Komisionit Europian mbi evolucionin e reformave në Shqipëri dhe  në Maqedoninë e Veriut, që pritet të prezantohet në fund të shkurtit.

SHKARKO APP