Hollande: Takimi me Fidel Castron një moment historik
President francez, François Hollande vlerësoi dje interesin e Francës dhe Bashkimit Evropian për Kubën gjatë një vizite të pazakontë për një president francez, shënuar nga takime të gjata me vëllezërit Castro.
François Hollande, presidenti i parë francez që zhvilloi një vizitë zyrtare në Kubë, takoi dje babain e revolucionit kubanez, Fidel Castro, me të cilin presidenti francez u shpreh se kishte përjetuar një moment historik.
Takimi, i zhvilluar me dyer të mbyllura në shtëpinë e ish-presidentit 88-vjeçar tërhequr nga pushteti që prej vitit 2006, u mbajt i fshehtë deri në momentin e fundit.
Presidenti i parë perëndimor që shkon në Kubë që prej njoftimit për përmirësimin e marrëdhënieve mes ishullit dhe SHBA-së, Hollande u shpreh menjëherë para komunitetit francez se e kishte dëshiruar prej kohësh këtë moment historik.
“Kisha përballë një njeri që ka bërë histori. Ka pasur debate të mëdha mbi atë që mund të jetë vendi i tij, përgjegjësitë e tij, por duke ardhur në Kubë kisha shumë dëshirë të takoja Fidel Castron”, theksoi ai duke shtuar se Lideri Maximo kishte folur shumë.
Gjatë një fjalimi në Universitetin e Havanës, ai foli për heqjen e embargos ekonomike amerikane, që sipas tij ka penguar zhvillimin e ishullit komunist që prej vitit 1962.
Presidenti socialist theksoi se kishte takuar babain e Revolucionit kubanez, Fidel Castro, privilegj i rrallë për një president perëndimor. Takimi zgjati rreth 50 minuta, sipas Elyse-së. /AFP