Homazhe në nder të Agim Doçit

Poeti i madh Agim Doçi, i cili ndërroi jetë ditën e djeshme, do të përcillet sot për në banesën e fundit, ndërkohë po zhvillohen homazhet.

Kolegët e tij kanë shprehur vlerësime në lidhje me figurën e tij dhe kontributin që ai ka dhënë në artin shqiptar.

“Ne jemi ata që bashkojmë njerëzit. Agimi ishte njeri i rrallë. Koha që një njeri i takonte të konsumonte me Agimin ishte e jashtëzakonshme. Krijonte atmosferë me guximin, humorin. Kam kaluar shumë kohë me të. Na lidhte arti, ideja për t’i dhuruar popullit këngë sa më të bukura dhe pikëpamjet tona. Artisti është një opozitar i përjetshëm, siç ishte edhe Agimi.

Për mendimin tim pengu i Agimit ishte thënia e të vërtetës. Fliste hapur pa doreza, mendonte me gojë. Nuk mendonte gjatë apo të mos kishte guximin ta thoshte. Ishte i vërtetë”, Edmond Zhulali.

Ndërkohë edhe këngëtarja e njohur, Manjola Nallbani iu është bashkuar sot homazheve në nder të poetit Agim Doçi.

Nallbani u shpreh se vendi humbi një njeri me kontribut të veçantë.

“Humbëm një njeri të veçantë me kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë me punën e tij sidomos në Luftën e Kosovës. Ishte unik dhe një njeri që nuk vjen më.”, tha ajo.

SHKARKO APP