Homazhet për Bujar Nishanin te Pallati i Kongreseve, të enjten në orën 10:00
Homazhet në nder të ish-presidentit Bujar Nishani që ndërroi jetë dy ditë më parë, do të mbahen ditën e enjte te Pallati i Kongreseve. Bujar Nishani lindi më 29 shtator 1966 dhe mandatin presidencial ai e mori me fillim në 24 korrik 2012 dhe e përmbylli më 24 korrik 2017, ndërsa bëhet presidenti më i ri në moshë që ka ndërruar jetë në Shqipëri.
Karriera politike e Nishani kaloi në këto faza. Ai u bë anëtar i Partisë Demokratike në vitin 1991; në vitin 2001 u zgjodh Sekretar i Degës së Partisë Demokratike Tiranë; në vitin 2003 u zgjodh nga lista e kandidatëve të Partisë Demokratike, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës; në vitin 2005 zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie politike.
Në korrik të vitit 2005, Nishani, kandidat për Partinë Demokratike, u zgjodh deputet në zonën zgjedhore 34 në Tiranë. Në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009, ai u zgjodh sërish deputet. Nga marsi 2007 deri në shtator 2009, Nishani shërbeu si Ministër i Brendshëm; nga shtatori 2009 deri në prill 2011 shërbeu si Ministër i Drejtësisë dhe më pas, në prill të 2011 Nishani u emërua sërish në postin e Ministrit të Brendshëm, ku qëndroi deri në qershor të vitit 2012.
Më 24 korrik 2012 u betua si President i Republikës para Kuvendit të Shqipërisë. Nishani u zgjodh president i Shqipërisë në 24 korrik të vitit 2012 dhe shërbeu në këtë pozitë përgjatë një mandati të plotë deri në vitin 2017. Njohës i mirë dhe i rrjedhshëm i gjuhës angleze. Bujar Nishani është i martuar me zonjën Odeta Nishani dhe kanë dy fëmijë: Ersi dhe Fjona Nishani.