Huamarrja, Parlamenti rrezon dekretin e Nishanit

Kuvendi rrëzoi me 75 vota gjatë seancës parlamentare dekretin e Presidentit Bujar Nishani për rishqyrtimin e ligjit të huamarrjes.

Gjatë diskutimeve, Partia Demokratike ka dalë kundër këtij ligji, duke theksuar se që nesër do të nisë të dërgojë letra në të gjitha bursat e njohura botërore për të mos njohur asnjë formë borxhi që qeveria shqiptare do të mund të marrë në të ardhmen.

Kjo u bë e ditur nga ana e ish-kryeministrit Sali Berisha në sallën e Parlamentit, duke shprehur kundërshtimin e opozitës ndaj ligjit për huamarrjen, që i mundëson Ministrisë së Financave të marrë borxh pa qenë e nevojshme që ai më parë të kalojë për votim në Parlament.

Sipas ish-Kryeministrit Berisha ky ligj ka për qëllim vetëm të mbushë xhepat e qeveritarëve duke thelluar në këtë mënyrë sipas tij gjendjen e rëndë financiare.

Edhe deputeti i Partisë Demokratike Edmond Spaho u shpreh se këto ndryshime nuk lejohen nga neni 166 i Kushtetutës. Gjithashtu ai theksoi se Qeveria është e papërgjegjshme dhe nuk duhet lejuar që të bëjë ndryshime Kushtetuese për huamarrjen.

Por nga ana e tij, ministri i Financave Shkëlqim Cani iu përgjigj akuzave të opozitës, duke u shprehur ishin ata që e lanë vendin në krizë të thellë financiare, dhe se vetëm në një vit qeverisje të majtë janë arritur të shlyhen 500 milionë dollarë borxhe të lëna nga qeveria e kaluar.

Duke iu drejtuar ish-kryeministrit Berisha, Ministri Cani tha se ai është shkaktari i kësaj krize të thellë në të cilën e zhyti vendin. Sipas Canit, synimi i Berishës është që të shkatërrojë ekonominë, duke e çuar atë në nivelet e vitit famëkeq të 1997.

Kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe i ka kujtuar Rodvan Bodes, deklaratën e bërë në vitin 2011 nga ky i fundit kur shprehte shqetësimin se duhej hartuar një ligj i njëjtë me atë të ligjit të huamarrjes e ndërsa ditën e sotme është kundër, dhe sipas Braçes e gjitha kjo bëhet për efekt elektoral.

SHKARKO APP