Humbja drastike në zgjedhje, shtohen zërat e deputetëve demokratë për bashkim të partisë

Humbja e thellë dhe drastike e PD-së në zgjedhjet lokale, ka shtruar shumë pikëpyetje. Pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeajt si kryetar i komanduar, e vetmja nënkryetare e mbetur është Jorida Tabaku, e cila nuk dha një përgjigje të qartë nëse do të jetë ajo që do ta drejtojë tashmë partinë, por theksoi rëndësinë e gjendjes së rrugës për të bërë bashkë PD.

“Shqipërisë i duhet një opozitë e fortë. Nuk kam parë më shumë trishtim se çfarë kam parë në këto zgjedhje, askush nuk duhet të bëjë deklarata të nxituara dhe të reflektojmë dhe të pranojmë që PD-ja nuk është as më e madhe, as më e bashkuar dhe as më e fortë. Ambiciet e mia politike nuk mungojnë, por për mua më e rëndësishmja është ambicia e demokratëve çdo hap do e flasim me strukturat”, tha Tabaku.

Ervin Salianji, që drejtoi fushatën e demokratëve në Kavajë, i vetmi bastion që rezistoi, e sheh dorëheqjen e Alibeajt si një skemë politike për të përçarë më tej PD-në. Salianji shtoi se ndonëse sipas rregullores së Kuvendit ai është drejtues i grupit parlamentar, nuk do ta marrë këtë post.

Pyetjes nëse Sali Berisha duhet të mbajë përgjegjësi politike njësoj si Alibeaj, Tritan Shehu, Luan Baçi dhe Edi Paloka iu përgjigjën duke treguar nenet që parashikon statuti i PD. Të premten e 19 majit, PD zyrtare pritet të mbledhë Kryesinë për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm.

SHKARKO APP