Humbja e thellë, Partia e Lirisë: Masakër zgjedhore nga qeveria e Rilindjes më 14 Maj, prokuroria të veprojë

Koalicioni ”Bashkë Fitojmë” nuk e pranon humbjen që pësuan në zgjedhjet lokale të 14 Majit. Partia e Lirisë përmes nënkryetarit Endrit Braimllari, akuzon se për të mbuluar masakrën elektorale, qeveria e Rilindjes po shpik ngjarje të ndryshme për të tërhequr vëmendjen nga krimi zgjedhor i bërë në të gjithë Shqipërinë. Ai theksoi se denoncimet e opozitës dhe të medias faktojnë përditë masakrën zgjedhore në shumicën e bashkive të vendit. Sipas tij, heshtja e prokurorisë, KQZ dhe të gjitha institucioneve ligjzbatuese i bën bashkëfajtor në vjedhjen e zgjedhjeve të 14 majit.

DEKLARATA E PLOTË

Jemi këtu për të denoncuar masakrën zgjedhore të 14 majit e ideuar dhe zbatuar nga qeveria e Rilindjes. Në përpjekje për të mbuluar masakrën elektorale, qeveria e Rilindjes po shpik ngjarje të ndryshme për të tërhequr vëmendjen nga krimi zgjedhor i bërë në të gjithë Shqipërinë.

Denoncimet e opozitës dhe të medias faktojnë përditë masakrën zgjedhore në shumicën e bashkive të vendit. Heshtja e prokurorisë, KQZ dhe të gjitha institucioneve ligjzbatuese i bën bashkëfajtor në vjedhjen e zgjedhjeve të 14 majit.

Teksa kandidatët e opozitës hetohen dhe arrestohen me prova të dyshimta për asnjë nga kandidatët e Ramës dhe zyrtarët e qeverisë, prokuroria dhe SPAK-u nuk kanë nisur asnjë hetim megjithëse është provuar përfshirja e tyre në vjedhjen dhe manipulimin e zgjedhjeve. Faktet për përfshirje dhe manipulimin e zgjedhjeve janë të qarta për sytë e publikut dhe të organeve ligjzbatuese.

1. Masakra elektorale në Kuçovë, në Rrogozhinë ku kutia e burgut vendosi fituesin, në Belsh dhe në Shkodër ku grupet kriminale u bënë bashkë në funksion të kandidat të Rilindjes.

2. Teksa SPAK ka hetuar kandidatë të opozitës për kandidaten e Rilindjes në Roskovec, Majlinda Bufi që u pa me zë dhe figurë si kërcënonte votuesit sot është ende e lirë dhe nuk ka një hetim zyrtar për të.

3. Dështimi i KQZ për mosfunksionimin e identifikimit elektronik që do të parandalonte votimin e shumëfishtë dhe familjar kur dhe vetë kryetari i KQZ nuk u identifikua. Po ashtu, boja fshihej në mënyrë shumë të lehtë. Bashkë me këto probleme të infrastrukturës zgjedhore, 1 milionë e 250 mijë qytetarëve ju ndryshua qendra e votimit javën e fundit.

4. Rënia e kursit të euros dhe monedhave të tjera, të cilat u përdorën në fushatë për të blerë vota nga grupet kriminale të lidhura me rilindjen. Nga ministra, zëvendësministra, drejtorë e nëpunës bashkie dhe zyrtarë publikë shpërndanin para si në rastin e Bashkisë Dibër. Të njëjtët zyrtarë më pas trysnonin qytetarët në qendra votimi.

5. Mijëra punësime u bënë pak ditë para zgjedhjeve me një qëllim të vetëm atë elektoral. Zyrat e Kadastrës si rrallë herë punonin dhe ditëve të pushimit për të ndarë legalizime dhe certifikata në mënyrë që qytetarëve t’u merrej vota.

6. Bashkia e Tiranës në kohë fushate hidhte asfalt elektoral rrugëve të qytetit në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Paratë publike të qytetarëve të Tiranës u shpërndanë për Show Man që dolën në mbështetje të kandidatit të Rilindjes.

Të gjitha këto fakte janë publike! Opozita do të vijojë t’i denoncojë këto dhe fakte të reja ditët në vijim. I mbetet institucioneve ligjzbatuese që të veprojnë pasi kjo masakër elektorale nuk mund të shmanget dhe të mos hetohet.

Prokuroritë e Rretheve, Prokuroria e Posaçme duhet të veprojnë dhe nuk mund të fshihen përballë këtij krimi elektoral të përsëritur nga kjo mazhorancë. Ne nuk do të ndalemi deri në zbardhjen përfundimtare të këtij krimi elektoral.

SHKARKO APP