Humbja më 25 prill, Mehmetaj: PD të analizojë mirë veten. Në Kuvend do të mungojë dinamika e LSI
Në shtator LSI-ja do të rikthehet në Kuvend me vetëm 4 deputetë, dhe me shumë mungesa të faktorit rini. Kejdi Mehmetaj ishte një prej deputeteve më aktive të LSI-së, por ajo nuk do të ulet më në Kuvend, pasi më 25 prill nuk e fitoi mandatin e deputetit. Në Fier ajo ishte e renditur e dyta pas kryetares, dhe LSI-ja fitoi vetëm një mandat në këtë qark dhe atë e mori Monika Kryemadhi. Ajo thotë se në Kuvendin e ri do të mungojë dinamika e këtij grupi.
”Parlamenti patjetër që do ti munojë dinamika e grupit parlamentar të LSI-së, që në të dyja legjislaturat e kaluara, ka qenë një grup tepër aktiv me iniciativa ligjore në Parlament, me përgjegjësi brenda parlamentit”. Nga viti 2017 në 2021 LSI zbret me 15 mandate, faktorët për të nuk janë vetëm të jashtëm.
Nënkryetarja e LSI i përcolli me ironi konstatimet nga aleatët me të cilët dolën të ndarë në zgjedhje, por patën firmosur edhe marrëveshje. ”Mua më vjen mirë që PD-ja, apo kushdo parti tjetër në një periudhë kaq të shkurtër pas zgjedhjeve dhe em aq shumë sa ndodhën gjatë zgjedhjeve ka arritur që ta përfundojë analizën e saj dhe të dalë në konkluzione. PD-ja si partia më e madhe opozitare, përpara se të gjejë fajtorë, duhet të analizojë mirë aksionet e saja, sa drejt ka vepruar dhe nëse është përballur ashtu siç duhet”,-tha më tej për median ”A2cnn”.
LSI-ja i është nënshtruar një raporti analize të 25 Prillit proces i cili sipas Kejdi Mehmetajt do të pasohet me ndryshime në struktura dhe në poste vendimmarrëse në LSI.