”I frikësuar se nuk do e kontrollonte”, Meta: Basha qau dhe iu ul në gjunjë Presidentit për protestën e 8 qershorit
Në konferencën për shtyp, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta tregoi një bisedë që kishte me kreun e PD-së Lulzim Basha më 6 qershor, kur kreu i shtetit ishte në një vizitë zyrtare në Gjermani, në një kohë që situata në 2019 ishte e ndezur nga protestat e opozitës dhe në qershor ishin edhe zgjedhjet lokale.
Meta tha se Basha iu ul në gjunjë dhe i kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve të 30 Qershorit, dhe se Basha kishte shprehur frikën se në protestën finale të 8 qershorit që ishte planifikuar për rrëzimin e kryeministrin Edi Rama, ai nuk do të ishte në gjendje më që të kontrollonte popullin.
Protesta e 8 qershorit u qetësua dhe u mbyll pa incidente, pasi Presidenti Meta anuloi zgjedhjet e 30 qershorit dhe më pas nxorri një tjetër datë për zgjedhjet lokale, më 13 tetor.
”Siç e dini Presidenti kishte caktuar datën 30 qershor. Sa më shumë afrohej data 30 qershor, aq më shumë përshkallëzohej konflikti mes partive. Dukej qartë se palët politike provokonin njëri-tjetrin. Kjo situatë u shoqërua me dhunë, patën të plagosur e të dëmtuar, mijëra qytetarë përjetuan gazin. Kjo e tensionoi klimën politike në vend. Në qershor, opozita mbajti protestën masive finale. Presidenti administroi se informacione se gjatë kësaj proteste do të përdorej dhunë arbitrare ndaj institucioneve. Presidenti ndodhej në Gjermani në këtë kohë, kohë gjatë të cilës erdhi edhe zoti Basha, i’u lut Presidentit të Republikës dhe në prezencë të të tjerëve. Iu përgjërua me lot në sy që Presidenti të anulonte protestën e 8 qershorit. Kjo pasi Basha nuk e mbante dot më nën kontroll popullin”.