I shoqëruar nga avokati në SPAK, zbulohet çfarë ndodhi në pak minuta të përballjes së Berishës me prokurorët
Sali Berisha shkoi këtë të mërkurë në SPAK dhe qëndrimi aty zgjati vetëm pak minuta. Edhe pse ishte thirrur të paraqitej në Prokurorinë e Posaçme në orën 12:00, zgjodhi që fillimisht të takonte militantët që kishin dalë ta mbështesnin, sipas porosisë së Flamur Nokës, por edhe për të komunikuar me gazetarët.
Pas orës 12:20, Berisha i shoqëruar nga avokati i tij Genc Gjokutaj i janë drejtuar detektorit të vendosur në hyrje në SPAK. Burimet i thanë Top Channel se Berishën dhe Gjokutajn në Prokurorinë e Posaçme i kanë pritur dy prokurorët e çështjes Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai.
Mësohet se biseda e tyre ka qenë formale, aq sa dy prokurorët i kanë dhënë dosjen me akuzat, që siç bëri të ditur për mediat ishte rreth 500 faqe. Berisha la SPAK-un dhe iu drejtua sërish mediave, ku njoftoi se ishte marrë i pandehur.