Idrizi: Boll e keni kaluar vijën e kuqe

Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ka zhvilluar një takim madhështor me anëtarët në qytetin e Lezhës, në kuadër të zgjedhjeve në parti që do zhvillohen në 21 maj dhe për anëtarësimet e reja. Në këtë takim ishin të pranishëm kryetari i PDIU-së, z. Shpëtim Idrizi si dhe deputetët Aqif Rakipi, Mesila Doda e Tahir Muhedini. Në fjalën e tij para anëtarëve, kryetari i PDIU-së u shpreh se në këto 25 vjet, deputetët e qytetit të Lezhës kanë ardhur nga Tirana, ndërsa me PDIU-në, deputeti do të jetë pjesë e qytetarëve të Lezhës.

“Politika shqiptare miqtë mi, në lista i ka dhënë qytetit të Lezhës vazhdimisht deputet. I ka dhënë deputet që vijnë nga Tirana dhe nga zonat e tjera. Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet ju fton juve që të bëheni pjesë e saj, që për herë të parë të keni një deputet nga Lezha, i cili mos të shoh programet e partisë, por të shoh qytetarët e Lezhës. Unë jam i bindur që me praninë tuaj këtu, ju e keni djalin tuaj, ju i keni vajzat tuaja, ju mund të keni lezhjanin e parë në 25 vjet, që nuk do jetë peng i partive politike dhe i programeve të saj, por do të jetë detyrues për shqetësimet e qytetarëve të Lezhës”, u shpreh z.Idrizi.

Gjithashtu kryetari i PDIU-së tha se politikanët shqiptarë e kanë kaluar vijën e kuqe përgjatë këtyre viteve dhe për këtë arsye, ai bëri apel që reforma në dejtësi të votohet sa më parë.

Swiss Digital Desktop Reklama

“U bë kohë që vërtitemi për reformën në drejtësi, pjesa morale, pjesa më e rëndësishme e institucioneve të Shqipërisë. Do të thoja sistemi autoimun i shoqërisë tonë. Ju e keni parë që gjatë gjithë kësaj kohe nuk e di çfarë presin dhe në çfarë artificash futet kjo reformë. Unë sot po ju them nga ky podium ne emër të PDIU-së: Politikanë shqiptarë, boll e keni kaluar vijën e kuqe dhe votojeni reformën në drejtësi, për të bërë për herë të parë drejtësi në këtë vend”, tha z.Shpëtim Idrizi para anëtarëve në qytetin e Lezhës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndërsa deputeti Aqif Rakipi tha se PDIU po merr mbështetje më të madhe në zonat e veriut.

“PDIU është e hapur për të gjithë Shqipërinë. Bastioni më i madh flitet se është në zonën e jugut, por ne po marrim mbështetje  më të madhe në zonën e Veriut. Deputeti i Lezhës duhet të jetë këtu midis jush, që të qajë hallet tuaja dhe  jo të vijë nga Tirana”,  u shpreh z.Rakipi.

Nga ana e saj deputetja Mesila Doda tha se PDIU është gati të votojë menjëherë reformën në drejtësi, por theksoi se askush nuk mund të përfshijë nene që cënojnë familjen.

“Kemi deklarur që do e votojmë patjetër reformën në drejtësi dhe do i mbahemi këtij premtimi. Por të mos harrojmë, që askush nuk mund të fusi nene të ndryshme brenda reformës, të cilat cënojnë familjen. Kërkohet që bashkë me reformën sot, ne duhet patjetër që ti japim mundësi atyre që kanë orjentim të ndryshëm seksual. Jo! Ne jemi për familjen dhe nuk mund të pranojmë dot, që nesër martesa të preket dhe familja të preket. Ne nuk kemi fobi nga asgjë, nuk jemi homofobë, nuk kemi asnjë lloj çështje apo agresioni ndaj kërkujt, por ne besojmë fort që familja duhet mbështetur me të gjitha kushtet, nga ana ekonomike, nga ana sociale dhe sigurisht me një platformë të qartë, që bazohet fort në mirëqënien e familjes dhe në familjen burrë-grua-fëmijë. Kjo është PDIU që do na çojë përpara. Nuk do votojmë asnjë nen që prek Kushtetutën dhe që prek Kodin e Familjes”, u shpreh znj. Doda para anëtarëve në qytetin e Lezhës.

Ndërkohë deputeti Tahir Muhedini, tha se PDIU nuk është parti as e majtë as e djathtë, por parti e çështjes kombëtare.

“Nuk jemi as të majtë as të djathtë, por kemi një program kombëtar me disa kauza të mëdha. Ju bëj thirrje të gjithë lezhianëve që të anëtarësohen në këtë parti, për t’u përfaqësuar sa më mirë. Programi i partisë tonë është ta duam çështjen kombëtare dhe të votojmë për të”, tha z.Muhedini.

Ndërsa kryetari i PDIU-së në qytetin e Lezhës, Zef Doçi u shpreh se në zgjedhjet e ardhshme PDIU do dyfishojë votat në këtë qark.

“Kemi nisur strukturimin e partisë. Për të krijuar struktura në çdo fshat e lagje. Për të anëtarësuar këdo që do të jetë me ne. Për t’u gjendur në krah me njëri-tjetrin si asnjëherë më parë. Ftoj çdo lezhjan të bëhet pjesë e PDIU-së. Që në zgjedhjet e ardhshme të kemi më shumë hapësira. Më shumë deputetë e më shumë zë. Dhe sikurse këtu, në të gjithë Shqipërinë do të kemi dyfishim të rezultatit”, tha kryetari i PDIU në Lezhë Zef Doçi.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?