Idrizi i kthehet Ramës: Po mban peng qeverinë me oligarkët sekserë
Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, pas deklaratave dhe akuzave të këtij të fundit ndaj drejtuesve të PDIU dhe komunitetit Çam.
Në një deklaratë për mediat, Idrizi i kujton Ramës se është mësuar të bashkëpunojë me sekserë që nga momenti i parë kur u bë ministër i Kulturës, marrja e Partisë Socialiste e deri te mbajtja e pushtetit, po përmes sekserëve.
“Edvin Rama nuk ka faj që kujton se të gjitha punët bëhen me sekser. Me sekser u bë ministër, me sekser kryetar bashkie, me sekser bleu Partinë Socialiste, mori pushtetin me marrëveshjen e sekserit të Serbisë, mbajti pushtetin me sekser grek, po mban peng qeverinë me oligarkët sekserë.
Por, kur të përmendë Çamërinë, Shpëtim Idrizin duhet të ketë kujdes se shumë të palara mund të dalin. Nuk është Shpëtim Idrizi asnjë nga sekserët që i ulen e i ngjiten në zyrë për të blerë çamë apo kosovarë.
Ti e di se sa sekserë të kam kthyer mbrapsht, dhe nga Vlora ku flet duke harruar që dhëmbët nuk janë vetëm për të kafshuar ,por dhe për të mbajtur brenda gojës, fjalët që mendja s’ti mban dot”, shprehet Idrizi.
Kreu i PDIU thekson se nuk do të harrohet dhuna policore e ushtruar ndaj aktivistëve të kësaj force politike dhe Shoqatës “Çamëria”, ditën kur Tiranën e vizitonte ministri i Jashtëm grek. Marrëveshja e PDIU me PD, thekson Idrizi, ka për program çështjen Çame, atë që qeveria aktuale nuk e adresoi asnjëherë. Idrizi sqaron edhe rolin e kreut të PBDNJ, Vangjel Dule, në koalicionin opozitar.
Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi duke iu drejtuar kreut të qeverisë i kërkon që përpara se të përmendë Çamërinë dhe vetë atë, le të shkojë në Kllogjer dhe të vendosë një tufë me lule te varrezat monumentale, në kujtim të viktimave çame të gjenocidit grek.
“Edhe një herë po të them mos i lësho pëllumbat kur të përmendësh Çamërinë, aq më shumë në Vlore. Shko bëj të paktën një vizitë në Çole, ku jetojnë çamët. E ke 5 minuta nga qendra, por e ke lënë si Kandahar pa ujë e drita. Pse e ke bërë? Apo meqë janë çamë! Dhe e fundit para se të përmendësh Çamërinë dhe Shpëtim Idrizin shko deri në Kllogjer vendos një tufë lule në varrezat monumentale të viktimave Çame që i ndërtuam, ne bijtë e Çamërisë. Shko vendose një lule dhe hesht vetëm një minutë. E bën dot qirje? Apo ke hall mos të kanoset Nikollas Gejxh apo uzaqet e Athinës”, përmbyll Idrizi.