Idrizi kritikon Ramën: Nuk je në drejtimin e duhur
Shpëtim Idrizi duket se nuk është aspak dakord me stilin e qeverisjes së kryeministrit Rama.
Aleati më i ri i koalicionit të majtë thotë se Rama duhet të ndërrojë fytyrat e kabinetit të tij qeveritar dhe të ndryshojë kursin pasi nuk është në drejtimin e duhur.
“Po jetojmë ditë të trishta dhe shoqëria po piskan, është e depresuar e pa shpresë e po ikën. Figurat ministrore janë të konsumuara ndaj ka nevojë për ndryshim”, ka thënë Idrizi.
Idrizi vazhdon duke thënë se “nuk e ka fajin qeveria dhe ata që janë ministra, por po them se detyra parësore e çdo qeverisësi në ditë të tilla është ta nisë korrektimin nga vetja. Jo vetëm me emra, por edhe me fytyra, stil, përmbajtje e frymë, ka nevojë t’u flasim shqiptarëve me një gjuhë që dëshmon se po i dëgjojmë.
Ky kompozim qeveritar me emrat, fytyrat, stilin, përmbajtjen dhe frymën e tij e ka kumtuar mesazhin që ka në këto dy vite.
Nuk po e e gjykoj as pozitivisht e as negativisht këtë kumt e mesazh, por ka diçka që nuk po u flet shqiptarëve si duhet. Dhe shqiptarë po ikin.
Kjo duhet të ndryshojë. E ky ndryshim kërkon dhe ndryshime të dhimbshme emrash, fytyrash, stilesh, përmbajtje dhe frymë ministrash, nuk ka pse jo.
Karriera e asnjë ministri e asnjë ekuilibër politik nuk e vlen këtë dëshpërim të madh të shqiptarëve që rendin ta braktisin Shqipërinë. Prandaj, shprehet ai në një intervistë në “Panorama”, unë besoj e theksoj se duhet një marrëveshje e re mes gjithë ne shqiptarëve, qofshim qytetarë dhe politikanë.”