Idrizi: PDIU, një parti që i sheh shqiptarët të bashkuar
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka zhvilluar dje një sërë takimesh elektorale në Njësinë nr. 9 në Tiranë dhe në Kamëz. Gjatë takimit në Njësinë nr. 9 u prezantua programi elektoral për pushtetin vendor, i hartuar nga një grup studiuesish të rinj, të shkolluar në universitete prestigjioze perëndimore.
Drejtuesit e fushatës në kryeqytet premtuan vëmendje të veçantë për problemet e komunitetit, duke theksuar veçanërisht nevojën që ka kjo zonë për lulishte dhe për shkolla të reja.
Veçanërisht u theksua se PDIU do të propozojë emërtimin e sheshit “Çamëria” në sheshin e ri që do të krijohet me zgjatimin e bulevardit kryesor të Tiranës. Pas këtij takimi kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi bashkëbisedoi me qytetarët e Kamzës dhe kërkoi votën për një parti që i sheh të gjithë shqiptarët të bashkuar.
“Unë do t'ju ftoja të gjithë ju që ta mendoni votën. Ju e keni dhënë për partitë e mëdha, majtas, djathtas, por në radhë të parë ta mendoni për një parti e cila është shtëpia juaj. Një shtëpi e cila niset nga një vokacion kombëtarist, por që e do Shqipërinë dhe shqiptarët bashkë.
Një parti që ndjenjën patriotike, nga e cila fillon identiteti ynë, nga e cila fillon dashuria për njëri-tjetrin, por edhe dinjiteti me të cilin ne duhet të jemi shumë krenarë që jemi shqiptarë, të ketë zonën e vet, të ketë shtratin e vet. Ju ftoj që të votoni Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Votoni nr. 34”, – tha Idrizi. PDIU kandidon me lista shumemërore për këshillat bashkiakë në të gjitha bashkitë e vendit.