Idrizi: PDIU nuk do të jetë seksion dhe as nënseksion i asnjë partie politike

Kreu i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, ka marrë mandatin nga Këshilli Kombëtar i kësaj force politike për të formuar koalicion për zgjedhjet lokale të 21 qershorit.

Duke theksuar se PDIU nuk do të jetë seksion dhe as nënseksion i asnjë partie politike, Idrizi nënvizoi se PDIU ka vetëm një aleancë dhe një koalicion, nxitja e shpresës së shqiptarëve.

“Mos na pyesni se me kë jemi në koalicion. Ne e kemi koalicionin tonë me sovranitetin dhe dinjitetin tonë si parti, e kemi koalicionin tonë me kauzën e të gjithë shqiptarëve, me aspiratën e të gjithë shqiptarëve. Ne si PDIU e kemi koalicionin me aspiratën kombëtare të shqiptare”, deklaroi Kreu i PDIU-së.

Ai vijoi më tej pohuar se “ne jemi në aleancë me aleatët tanë, po jo zar apo shtojcë apo seksion i ndonjë partie. Ne kemi refuzuar të jemi vegjetarianë në aleancat paszgjedhore”.

Idrizi tha se “mund ta them me forcë dhe krenari se PDIU­ja se është subjekti me rritjen më të madhe elektorale. Ne jemi më shumë se 4­-fishuar kur partitë e tjera e humbën peshën në koalicionin e kaluar dhe sot ne jemi në Kuvend me 5 deputetë. Ne jemi për të dëshmuar pa asnjë mëdyshje se jemi forca dhe pulsi i politikës shqiptare”.

SHKARKO APP