Idrizi: Rama varfëroi shqiptarët, 450 mijë qytetarë emigruan në 4 vite
Lushnja, sikundër edhe i gjithë vendi, vitet e fundit është varfëruar shumë, edhe pse ka një potencial bujqësor të jashtëzakonshëm. Në vijim të turit elektoral për zgjedhjet e 25 prillit, kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi zhvilloi një takim me qytetarët e Lushnjes.
Në fjalën e tij, Idrizi e vuri theksin pikërisht te varfëria që ka pllakosur vendin, mungesa e vendeve të punës dhe emigracioni masiv, ku vetëm 4 vitet e fundit janë larguar nga Shqipëria 450 mijë qytetarë. Sipas tij, më shumë se gjysma e popullsisë jeton në kufijtë e minimumit jetik, prej vetë 4 dollarë në ditë.
“Sot çdo shqiptar, ju e shihni edhe këtu në Lushnje, ka probleme shumë të mëdha të vafërisë. Sot 60% e shqiptarëve jetojnë me 4 USD në ditë. Ne jemi në këtë aleancë për të gjithë ata burra e gra që nuk e dinë si do ta shtyjnë të nesërmen. Për të gjithë ata djem të cilët duan që pas 25 prillit të jeotjnë në Shqipëri dhe të mos u japim si mundësi të vetme largimin nga Shqipëria. Jemi bashkuar për ata pensionistë që marrin pension qesharak dhe nuk iu del për të paguar dritat, ujin dhe ilaçet. Ne nuk kemi pasur asnjëherë një shtet që të funksionojë. Jemi në krizë shumë të madhe ekonomike, sociale, politike, por edhe demografike. Janë 450 mijë shqiptarë që kanë ikur vetëm në 4 vitet e fundit nga mungesa e shpresës, ndërkohë që ky kryeministër do t’i zëvendësojë me punëtorë nga Bangladeshi apo Pakistani. Ne jemi në një aleancë të madhe të të gjithë shqiptarëve, kundër një njeriu të vetëm i cili sot i ka kapur të gjithë pushtet në një dorë dhe të gjithë ekonominë për 5 shokët, miqtë, klientët e tij”, u shpreh Idrizi.
Shqiptarët sot, tha kreu i PDIU nuk e kanë pasur asnjëherë shtetin kur kanë pasur nevojë, miliona euro do të paguhen nga taksat e qytetarëve në arbitrazh, ndërsa shtoi se kriza e aeroportit të Rinasit, dëshmon më shumë se kurrë dështimin e funksionimit të shtetit.
25 prilli, tha kreu i PDIU, do të jetë dita që do të ndajë Shqipërinë nga një regjim autokratik. Ai tha se mandatet e PDIU do të largojnë Edi Ramën nga pushteti i cili në këtë fushatë shkon përpara qytetarëve pa asnjë bilanc, ndryshe nga sa premtoi në 2017, kur kërkoi “tepsinë” i vetëm.
“Në demokraci, rotacioni, ndryshimi i elitave është gjëja më normale. Është shumë normale për një njeri që ka 8 vjet, sidomos në 4 vitet e fundit që ka krijuar probleme shumë të mëdha në varfërinë, pensione, largimin e të rinjve – të ndryshojë pushteti. Ne nuk jemi duke hequr nga pushteti George Washingtonin, por jemi duke hequr Edi Ramën që të shkojë në shtëpi dhe të rrijë me Zahon sepse u lodh 23 vjet në pushtet. Ne me forcën tonë dhe me mandatet tona, votat tona, do t’ia mundësojmë pensionin politik dhe rotacionin politik, duke e nxjerrë jashtë pushtetit Edi Ramën”, theksoi kryetari i PDIU.
Nga Lushnja ku kërkoi votat për kandidatin Nustret Avdullai, kreu i PDIU tha se opozita ka një program konkret për ekonominë të bazuar në taksa të ulta, nxitjen e punësimit, subvencione për fermerin dhe garantimin e tregut për prodhimet vendase.
“Produktet sezonale, edhe këtu në Lushnje hidhen në rrugë dhe kalben. Pse? Unë nuk besojh që lopët e Shqipërisë bëjnë qumësht me kosto më të lartë se ato të Serbisë! Na ka mbytur këtu qumështi i Serbisë. Kjo për një arsye shumë të thjeshtë, sepse shumë nga këto produkte vijnë të subvencionuara nga shtetet e huaja dhe shteti shqiptar bën aleancë me importuesit e mëdhenj. Prandaj programi jonë është orientuar drejt taksave të ulta, shtetit të vogël dhe mbrojtjes së produkteve vendase. Kjo është e vetmja rrugë që ne ta ndryshojmë Shqipërinë. Shqipëria drejt prodhimit, heqja e atyre gjërave që mundësojnë që 5 veta në Shqipëri të marrin të gjithë buxhetin e shtetit, që ne sot kemi një borxh në shifrën 97% të GDP”.
Edhe përpara qytetarëve lushnjarë, kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi e vuri theksin te çështja Çame duke deklaruar se ajo do të avancojë, ndërsa hodhi akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama se investohet për të përçarë komunitetin çam.
“Nëse janë në PS për çështjen Çame, le të na tregojnë minimumi një marrëveshje që kanë me Edi Ramën. A do ta fusin çështjen Çame në programin qeveritar? A do ta kthejnë në librat e Historisë çështjen Çame? A do ta kenë në tryezën diplomatike me Greqinë? A do ta heqin Ligjin e Luftës? Këto janë kërkesat e para që duhet të bëjë çdo njeri që flet për çështjen Çame apo që flet në emër të komunitetit të shqiptarëve të Çamërisë. Pas gjithçkaje që kanë bërë duke futur duart tek ne, për të na përçarë, për të bërë gjithçka, po ju them se jemi më të fortë se kurrë, edhe këtu në Lushnje. Në 25 prill të bëjmë ndryshimin e Shqipërisë dhe të çojmë djem e vajza patriotë në Parlamentin e Shqipërisë. Siç e kemi treguar, akoma edhe më shumë do ta tregojmë që ne dimë të ngremë zërin, dimë t’u dalim përballë kauzave tona në emrin tuaj dhe të gjithë shqiptarëve të Çamërisë”, deklaroi Idrizi.