Ikën nga gara kandidatja e PDIU për Konispolin
Tërhiqet nga gara për Bashkinë e Konsipolit, kandidatja e PDIU-së, Mimoza Arapi. Lajmin e ka bërë vetë me dije përmes faqes së saj në fb, ku e arsyeton dorëheqjen me ushtrimin e një tjetër detyre të lartë shtetërore.
“Kam vendosur të largohem nga gara për kryebashkiake tuaj. Ky largim nuk vjen prej intrigave, shpifjeve dhe thashethemeve, me të cilat kam qenë e gatshme të përballem në çdo rast, por në shërbim të një kauze më të madhe sesa çdo individ. Ju njoftoj se do ta vazhdoj angazhimin tim politik në një detyrë të lartë shtetërore”.
Përkundër tërheqjes nga gara, Arapi e cila ka ushtruar për një mandat funksionin e saj si kryebashkiake e Konispolit, thotë se do të mbështesë kandidatin që do ta pasojë nga Aleanca për Shqipërinë Europiane.
“Unë do të jem haptazi dhe tërësisht në krah të kandidatit të ASHE-së për kryetar të Bashkisë së Konispolit.Le ta bëjmë Konispolin, ashtu siç e duam dhe siç e meritojmë, sërish së bashku, në krah të kandidatit të ASHE-së!”
Postimi i plotë në fb
Të nderuar bashkëqytetarë të Konispolit dhe fshatrave të tjera të Çamërisë,
Dua t’ju falenderojë nga zemra për bashkërrugëtimin tonë katërvjeçarë në përpjekjen tonë për ta shndërruar Bashkinë e Konispolit në një qendër të rëndësishme të jugut të shtetit tonë. Në këto katër vite, të gjithë punonjësit e bashkisë u përqëndruam në disa investime strategjike, të cilat kanë filluar të prodhojnë rezultatet e para, por që janë parakusht për një zhvillim të gjithanshëm dhe solid te vendit tonë. Për këtë arsye, sot jam krenare për punën dhe mundin tim dhe të ekipit që më mundësuat të drejtojë. Familja dhe prejardhja ime kanë qenë një frymëzim i vazhdueshëm në këtë rrugë.
Me këtë, nuk dëshirojë të them se bëmë gjithçka. A bëmë aq sa duhet? Pa dyshim se jo! Mund dhe duhet të kishim bërë më shumë, megjithë kushtëzimin që kishim nga mungesa e fondeve publike.
Mirëpo, sot, flasim mbi një tjetër realitet. Konispoli është një qytet, i cili vetëm me reformën administrative të re mund të promovojë vlerat e veta qytetare në maksimumin e tij. Dhe ju e dini më mirë se kushdo këmbënguljen time, që bashkia e re e Konispolit (e Çamërisë) të ishte realitet, në këtë madhësi që është. Një betejë, që e bëmë së bashku, dhe që ia dolem me sukses. Për këtë arsye, pata privilegjin që t’i propozoja Këshillit Bashkiak, të shpallte qytetar nderi të Konispolit, z. Shpëtim Idrizi, me të cilin kam bashkëndarë këtë arritje historike të krijimit të Bashkisë së Konispolit (Çamërisë).
Kjo arritje më jipte vullnetin për ta vazhduar projektin e zhvillimit të zonës sonë, sepse Bashkia e re do të rrisë potencialin e çdo fshati dhe do të bëjë qytetin e Konispolit, një qendër të vërtetë urbane. Mirëpo, gjatë gjithë jetës time publike dhe politike, në çdo vendimmarrje kam pasur si udhërrëfyes interesin e qytetarëve dhe të Aleancës për Shqipërinë Evropiane.
Pikërisht, duke e vendosur veten sërish në shërbim të bashkëqytetarëve dhe të koalicionit, kam vendosur të largohem nga gara për kryebashkiake tuaj. Ky largim nuk vjen prej intrigave, shpifjeve dhe thashethemeve, me të cilat kam qenë e gatshme të përballem në çdo rast, por në shërbim të një kauze më të madhe sesa çdo individ. Unë do të jem haptazi dhe tërësisht në krah të kandidatit të ASHE-së për kryetar të Bashkisë së Konispolit dhe ju njoftoj se do ta vazhdoj angazhimin tim politik në një detyrë të lartë shtetërore.
Le ta bëjmë Konispolin, ashtu siç e duam dhe siç e meritojmë, sërish së bashku, në krah të kandidatit të ASHE-së!