Ikën Zelensky, por kush vjen nesër në Tiranë? Kosova mungon në Samitin BE-BP

Tirana do të vijojë që të jetë kryeqendër politike në Ballkan. Nesër do të mbahet një tjetër Samit, ai mes Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian. Në fokusin e samitit BE-BP do të jetë paketa 6 miliardë euro e fondeve që Bashkimi Europian do të shpërndajë në formën e ndihmave, kredive dhe granteve për projekte të caktuara, për 6 vendet e rajonit.

Teksa në samitin e sotëm për Ukrainën ku mori pjesë edhe Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, Kosova u përfaqësua nga Presidentja Vjosa Osmani, në samitin e së enjtes nuk do të vijë në Tiranë asnjë prej liderëve të Prishtinës zyrtare.

Edhe pse ishte përfolur se do të kishte një përballje midis Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurtit, e ndoshta edhe një takim nën ndërmjetësimin e kryeministrit Edi Rama, emri i shefit të qeverisë kosovare mungon në listën e pjesëmarrësve që ka publikuar Kryeministria.

Një tjetër mungesë është ajo e Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, teksa nga Brukseli duket se kanë zgjedhur të përfaqësohen me Komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Për herë të parë si kryeministër i Maqedonisë së Veriut, do të jetë pjesë e një samiti të rëndësishëm, Talat Xhaferi.

SHKARKO APP