Ikja e rinisë nga Shqipëria/ Rama në Ersekë: E vetmja rrugë është puna në vend, s’ka formulë magjike
Kryeministri Edi Rama gjatë turit që po zhvillon në qarkun e Korçës, këtë pasdite ka bashkëbiseduar me të rinjtë në Ersekë. Emigrimi ishte një nga tematikat që diskutoi Rama me këshillin bashkiak rinor dhe të rinjtë e vetëpunësuar në agroturizëm dhe turizëm në Ersekë.
Kryeministri u ndal tek ikja e të rinjve, ndërsa vuri theksin se sot jemi një vend me liri lëvizje dhe të rinjtë mund të provojnë eksperienca të reja, por kurrsesi të jenë me idenë se këtu nuk ka asnjë mundësi. Kreu i qeverisë nënvizoi se vetëm rruga e punës është rruga e vetme, nuk ka asnjë formulë magjike.
”Sot një njeri në moshën tuaj nëse ka vullnetin dhe dëshirën për të hyrë në botën e teknologjisë mund ta bëjë nga këtu. Duke mësuar gjuhën e teknologjisë për një treg që është kudo. Mund të punësohesh në Europë, Australi duke qenë këtu. Varianti ik se këtu nuk ke mundësi është i pavërtetë dhe është psikozë. Midis një pune të zakonshme jashtë dhe një investimi këtu, flasim për investime të mundura. Nuk do u sugjeroja kurrë që në këtë moshë të iknit. Unë kam qenë emigrant dhe e di shumë mirë çfarë flas, dhe nuk më ka dalë keq dhe nuk mund t’i them askujt mos ik. Por mos ikni kurrë me kotrabandistë dhe rrugë ilegale. Kurrë me idenë se këtu nuk ka asnjë mundësi”.