Ilir Meta: Adi Krasta është përfaqësuesi më i denjë i fjalës dhe i mendimit të lirë (VDEO)
Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas monologut të gazetarit Adi Krasta të mbajtur ditën e djeshme në skenën e Teatrit Kombëtar. Sipas kreut të shtetit, Adrian Krasta është përfaqësuesi më i denjë i fjalës dhe i mendimit të lirë.
“Adrian Krasta është përfaqësuesi më i denjë i fjalës dhe i mendimit të lirë, një nga intelektualët më të shquar dhe zëdhënës i rëndësishëm i opinionit publik e kombëtar, i cili ka spikatur gjithmonë si kritik i pakompromis i abuzimeve me pushtetin në çdo kohë.
Monologu i tij i fuqishëm dhe brilant, në mbështetje të kauzës së mbrojtjes së Teatrit Kombëtar ka marrë dje duartrokitjet e merituara dhe ka bërë jehonë të madhe pikërisht për shkak të fuqisë së fjalës së lirë në mbrojtje të të vërtetave.
Duke e falenderuar me mirënjohje Adrian Krastën për përfaqësimin dhe solidaritetin e shkëlqyer me kauzat qytetare e kombëtare, po ndaj me ju monologun e tij të mbajtur dje në skenën e Teatrit Kombëtar, simbolit frymëzues të rezistencës së popullit ndaj abuzimit me pushteti”, shkruan kreu i shtetit duke e shoqëruar edhe me videon e monologut.