Ilir Meta mbledh Partinë e Lirisë: Kuvendi i rrëm*byer nga qeveria, drejtësia bën goditje me regji
Partia e Lirisë ka mbledhur pasditen e kësaj të enjte Komitetin Drejtues Kombëtar. Kryetari Ilir Meta ka komentuar situatën aktuale politike, duke mos kursyer akuzat ndaj qeverisë ”Rama 3”, kur tha se Kuvendi është rrëmbyer prej saj, dhe se drejtësia po bën goditje me regji.
“Shqipëria sot është një narkoshtet, ku të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë rrëmbyer nga mafia në pushtet. Sistemi i kontrollit dhe balancave nuk ekziston për shkak të kapjes së shtetit.
Kuvendi siç e shikoni është rrëmbyer nga qeveria dhe veprimtaria politike e përfaqësuesve të zgjedhur të opozitës në Kuvend dhe pushtet vendor është kufizuar me ligje të posaçme dhe përjashtime.
Opozita “emërohet” me vendime gjykatash dhe drejtuesit e saj realë arrestohen, izolohen, kërcënohen dhe shantazhohen; Ku drejtësia është kapur në mënyrë mafioze dhe funksionon me regji duke bërë goditje selektive sipas interesit politik të ditës së Kryeministrit dhe në shërbim të agjendave elektorale të tij”, tha Meta.