Ilir Meta takohet me Komisionerin e BE-së për Migrimin

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta zhvilloi sot një drekë pune me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Migrimin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë Dimitris Avramopoulos me të cilin biseduan rreth krizës së refugjatëve dhe mbi forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë evropiane.
Duke biseduar mbi situatën e fundit të krizës migratore të refugjatëve në Evropë dhe veçanërisht në rajon, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta vuri në dukje se kjo është një krizë e paprecedentë që kërkon një përqasje më të koordinuar evropiane. Në këtë drejtim, Meta theksoi se Shqipëria është një vend evropian, dhe si i tillë do të kontribuojë në përballimin e kësaj krize me solidaritet dhe përgjegjësi evropiane, brenda kapaciteteve të saj.
Meta nënvizoi se Shqipëria është e gatshme të kontribuojë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët e saj evropianë, duke përforcuar njëkohësisht kapacitetet e saj humanitare, strukturat e sigurisë, inteligjencës, regjistrimit dhe vetimit të refugjatëve që mund të kalojnë nga territori i saj.
Komisioneri i BE-së për Migrimin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë z. Dimitris Avramopoulos shprehu mirënjohjen e tij për qëndrimet dhe gatishmërinë e autoriteteve shqiptare dhe vuri në dukje se Shqipëria ka jo vetëm një eksperiencë të gjerë historike në përballimin e krizave humanitare, por edhe një përqasje evropianiste ndaj krizës aktuale që ka prekur rajonin dhe vendet e tjera të BE-së.
Në përfundim, Meta dhe Avramopoulos biseduan edhe mbi luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme dhe ndanë bindjen se miratimi i ndryshimeve kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë si dhe një bashkëpunim më i ngushtë me strukturat evropiane si Europol, do të kontribuojnë në rritjen e ndjeshme të luftës së Shqipërisë ndaj këtyre fenomeneve negative.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?