Ilir Meta: Të gjitha rrugët kalojnë nga Vora
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, mori pjesë në një bashkëbisedim me të rinjtë në qytetin e Vorës. Në këtë takim, z. Meta shoqërohej nga kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për bashkinë e Vorës, z. Luan Sallaku, Zv.Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Nora Malaj dhe kryetar i LRI-së, z. Endrit Braimllari.
Në fjalën e tij, z. Ilir Meta tha se Vora ka një të ardhme të shkëlqyer dhe se po zgjohen energjitë e fjetura sidomos te të rinjtë dhe të rejat. Lideri i LSI-së u shpreh se ora e ndryshimit po troket edhe për Vorën. “Absolutisht po shoh dita-ditës zgjimim e shumë energjive të fjetura këtu në Vorë e sidomos tek të rinjtë e të rejat, por dhe te gratë dhe te nënat e Vorës. Kjo tregon që besimi se ora e ndryshimit për Vorën po vjen dhe në 21 qershor, me votën e tij populli i Vorës, i Bërxhullit dhe i Prezës do t’i thotë po alternativës sonë. Do ta bëjmë Bashkinë e re të Vorës modelin më të mirë për shërbimin dhe për punësimin në nivel kombëtar”, – tha z. Meta.
“Më akuzojnë mua pse vij në Vorë, pse shkon Ilir Meta në Vorë?!. Po çfarë faji kam unë që të gjitha rrugët kalojnë nga Vora?! Çfarë faji kam unë që ata të tjerët përtojmë të ndalen në Vorë kur ikin për në Shkodër, kur ikin për në Durrës, kur ikin për në plazh apo kur ikin në aeroport? Unë nuk përtoj të ndalem. Pas 21 qershorit do të vij dy herë në ditë në Vorë. Dhe do vij që të zbatojmë planin dhe programin tonë sepse do ta bëjmë Bashkinë e re të Vorës modelin më të mirë për shërbimin dhe për punësimin në nivel kombëtar”, u shpreh z. META
Në vijim të fjalës së tij përpara të rinjve të Vorës, z. Meta u shpreh se programi i kandidatit të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” z. Luan Sallaku mbështetet fort në punësimin e rinjve si dhe në hapjen e shkollave të formimit profesional në mënyrë që të rinjtë dhe të rejat të arsimohen në profile profesionale të caktuara.
“Ne kemi një program. Programi ynë ka shumë çështje po ku çështja kryesore është punësimi dhe ne garantojmë që brenda dy viteve ne do të realizojmë punësimin e çdo banori të Vorës që do të punojë. Kemi për detyrë kemi për përgjegjësi si bashki e re, edhe ne si përfaqësues të mazhorancës dhe të qeverisë , edhe që dalim këtu garant të këtij programi të Luan Sallakut dhe të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” në Vorë që të gjithë ata që janë pa punë dhe që të gjithë do të evidentohen dhe për këtë do të hapet zyra e shërbimit të punësimit këtu, të gjithë do të kenë mundësi që t’u ofrohet një punë .
E parado të kemi një prioritet të veçantë në bashki dhe do të kemi një fond për nxitjen e punësimit dhe për formimin profesional. Së dyti me të gjithë bizneset që janë aktualisht në territorin e bashkisë së re të madhe të Vorës, do të bisedojmë në mënyrë të qartë që për çdo vend të ri pune që ata do të hapin, do të gëzojnë mbështetje nga ana e bashkisë dhe nga ana e qeverisë
Së dytipër çdo investim të ri që do të bëhet në Vorë nuk do t’i kërkojë njeri lekë atij biznesi të huaj apo shqiptar që do të vijë të bëjë këtu ndërtimin. Por një kusht do ta ketë? Që në radhë të parë do të marrë nga Vora, nga Domja, nga Bërxhulli dhe nga Preza njerëzit në punë”,- tha z. Meta.
Lideri i LSI-së theksoi gjithashtu se bashkia e re do të ketë një departament të veçantë për bujqësinë si një prioritet për Bashkinë e re të Vorës. “Bashkia do të ketë një departament vetëm për punën e bujqësisë, për kanalet e vaditjes dhe për kullimit në mërye që e gjithë zona të ketë ujë kur i duhet tokës dhe të mos vijë atëherë kur do të na dëmtojë. Kështu që unë besoj se jemi në një moment shumë të mirë për t’i dhënë Vorës një perspektivë të re dhe të shkëlqyer e cila në radhë të parë është në interesin e më të rinjve, është në interesin tuaj dhe do të kemi mundësinë të krijojmë një frymë dhe një shpirt të fuqishëm të një komuniteti të integruar. Kemi mundësi që të zhvillojmë ngjarje të rëndësishme kulturore, artistike e sportive”,- tha z. Meta.
Në mbylljet ë fjalës së tij z. Ilir Meta theksoi se Bashkia e re e Vorës i ka të gjitha potencialet për t’u shndërruar në një bashki në standardet Europiane pasi i ka të gjitha asetet natyrore për të qenë e tillë. “Kjo bashki e re i ka të gjitha gjërat, nuk i mungon asgjë që nga Kalaja e Prezës, që nga fushat e Prezës dhe fusha e Domjes dhe të Bërxhullit, që nga Kodrat e papara të Vorës dhe të Marikaj e kështu me radhë. Kështu që tani vetëm duhet t’i vëmë në punë. Edhe ajo që i vë në punë dhe është në interesin tuaj është vota juaj në 21 qershor për Luan Sallakun dhe për “Aleancën për Shqipërinë Europiane”. Programi ynë përmirësohet çdo ditë, nuk është një program që u shkruajt dhe mbetet aty. Çdo gjë pozitive ne do ta përfshijmë dhe do ta bëjmë pjesë të programit tonë për të ardhmen”,- tha kryetari i LSI-së.
Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Vorës, z. Luan Sallaku, tha se kontrata me të rinjtë e Vorës është nënshkruar dhe se do të garantohet punësimi për të gjithë ata. “Kontrata me rininë fillon këtu në Vorë, kontratën me rininë fillon në komunë e Prezës, kontrata me rininë fillon në komunë e Bërxullit, kontrata me rininë fillonë sot këtu në Vorë si mbështetëse kryesore dhe si lokomotivë e të gjithë energjive potenciale që ju keni. Ne kemi një plan të detajuar për rininë e Vorës ku në radhë të parë është objektivi në punësimin e të rinjve të Vorës, në punësimin e të rinjve të Bërxullit, në punësimin e të rinjve të Prezës dhe këto sëbashku janë pjesë e ndarjes së re administrative territoriale të bashkisë së re të Vorës. Me hapjen e shkollës profesionale, me hapjen e vendeve të reja të punës, në bashkëpunim me biznesin privat, ne kemi hapësira të mëdha dhe potenciale për të pasur një punësim sa më eficent për rininë e Vorës. Jemi këtu për t’ju dhënë fjalën dhe për të lidhur kontratën me ju, që jemi bashkëpunëtorë të denjë në këto zgjedhje të 21 qershorit, pasi ju jeni energjia më potenciale, më pozitive për fitoren e këtyre zgjedhjeve”,- tha z. Sallaku.
Ndërsa Zëvendësministria e Arsimit dhe Sportit znj. Nora Malaj theksoi në fjalën e saj se të rinjtë do të jenë prioritet për kryetarin e ri të Bashkisë së madhe të Vorës z. Luan Sallaku. “Për herë të parë në historinë e Vorës bëjmë një bashkëbisedim se çfarë ka nevojë rinia, se cili është programi ynë dhe çfarë ne duhet të bëjmë për ju, që ju të realizoni ëndrrat, të realizoni dëshirat, të realizoni shpresat dhe të bëjmë që jeta juaj të jetë e lumtur këtu në Vorë. Ne diskutuam bashkë dhe thamë sa shumë nevojë ka Vora për investime për të rinjtë, sa shumë nevojë ka Vora për një këshill konsultativ që të gjithë programin dhe politikat e të rinjve të bëhen realitet. Sa shumë nevojë ka Vora për të ndierë një qendër të të rinjve, që të mos ketë vetëm qendra ku luhet bilardo dhe bingo, por të ketë qendra ku mendimi i përparuar të zhvillohet dhe programi të jetë progresist. Sa shumë nevojë ka Vora për të krijuar qendrën e ekselencës për të rinjtë të cilët për fatin e mirë, sot ka student të mrekullueshëm që garojnë në studimet e tyre”- tha znj. Nora Malaj.