Inceneratorët, PD: Fakte dhe prova që provojnë vjedhjen e shekullit
Partia Demokratike vijon denoncimet për aferën e inceneratorëve, duke publikuar detaje që sipas saj dolën në dritë në ditën e katërt të komisionit hetimor për inceneratorët.
Selia blu thekson se koka e korrupsionit 430 milionë eurosh është kryeministri Edi Rama, ku shpreh vendosmërinë se të gjithë të përfshirët në këtë aferë do të përballen me drejtësinë.
Ja çfarë u vërtetua në seancën e katërt sipas PD:
Klodian Zoto pagoi veten me dy kompanitë e tij 23 Milionë Euro për punë që nuk janë kryer. Kanë marrë 20 milionë euro paradhënie deri në vitin 2019 kur nuk kanë punuar. Inceneratori i Fierit ka marrë kredi me garanci sovrane 69 milion lekë për paga të cilat paguheshin me paratë e buxhetit të shtetit. Administratorit të Fierit thotë se nuk e mban mend se si i ka paguar 23 milionë euro po nga librat e Drejtorisë së Tatimeve, 23 milionë euro i ka marrë po Klodian Zoto.
Kompania BCG, në pronësi të Sevi Zani, punonjëse në inceneratorin e Tiranës dhe Elbasanit ka bërë ofertën e pakërkuar për inceneratorin e më pas ia shet kompaninë Klodian Zotos.
Pjesë e garës ishte edhe kompania italiane “Energy Recuperator”, një javë pasi fitohet koncesioni prej 28 milion eurosh, shet aksionet me një vlerë prej 200 eurosh.
Administratori i inceneratorit të Fierit Loran Dusha, ka qenë punonjës dhe përfaqësues ligjor i Kompanisë “HermesCommunication” ku ka qenë aksioner Ministri i z. Arben Ahmetaj.
Kompania koncesionare ka ndryshuar 3 herë vend ndërtimin e inceneratorit. Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier i vendos në dispozicion 10 troje publike. Armando Subash zgjedh të vetmin truall i cili është privat, të cilën e shpronëson me çmim dyfish: 460 mln lekë.
Klodian Zoto, Mirel Mertiri dhe Stela Gugallja vetë bëjnë abuzimin me buxhetin e shtetit, vetë miratojnë bilancet, vetë i çojnë faturat, vete bëjnë auditim dhe askush në qeveri, nuk mban përgjegjësi. Janë paguar 23 milionë euro për inceneratorin e Fierit dhe askush nuk e di ku kanë shkuar.