Inceneratori i Elbasanit, SPAK dërgon dosjen për gjykim. Zbardhen akuzat për Kokën dhe Bllakon
Prokuroria Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka përfunduar hetimet për procedimin penal nr.277 viti 2020, në lidhje me inceneratorin e Elbasanit. SPAK njoftoi gjithashtu se procedura e miratimit në Këshillin e Ministrave do të hetohet më vete. Në dosje ngrihen akuzat për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” në ngarkim të të pandehurve Lefter Koka, Alqi Bllako, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri, Serafin Papa, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja, shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k dhe shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k.
”Në përfundim të hetimeve paraprake në ngarkim të të pandehurve të mësipërm, janë mbledhur provat e nevojshme dhe është provuar fakti se janë konsumuar disa vepra penale, më konkretisht:
Së pari, nga hetimet e kryera është provuar se në procedurën e dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, nuk janë kryer të plota veprimet përgatitore për dhënien e koncesionit, në kundërshtim me nenin 16 të ligjit nr.125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, në kundërshtim me nenet 5, 6, 7, 8, 13, 14/1, 26 të V.K.M nr.575, datë 10.07.2013 “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat”, me kreun II, pika 2/c, të V.K.M-së nr.1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, të ndryshuar.
Së dyti, nga hetimet është provuar gjithashtu fakti se nuk është zbatuar procedura e rregullt ligjore lidhur me llojin e procedurës që është përdorur për dhënien e koncesionit, në kundërshtim me parashikimet e nenit 22 të ligjit nr.125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, në kundërshtim me dokumentet standarde të tenderit të zbatueshme për koncesionet, në kundërshtim edhe me sugjerimet e Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Prokurimit Publik. Në rastin konkret, në procedurën e ndjekur për dhënien e koncesionit dhe lidhjen e kontratës me shoqërinë “Albtek Energy” sh.p.k, është ndjekur procedura “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, e rregulluar nga neni 33 e vijues të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar. Procedura e ndjekur për dhënien e koncesionit “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, nuk është një nga procedurat e parashikuara në nenin 22 të ligjit nr.125/2013, ku parashikohet se për dhënien e koncesionit munden të përdoren vetëm një nga tre procedurat: i) procedura e hapur; ii) procedura e kufizuar; ose iii) procedura me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”.
Sipas SPAK, veprimet dhe mosveprimet e mësipërme në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore, përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, si dhe i kanë sjellë personit juridik “Albtek Energy” sh.p.k përfitime materiale të padrejta, pasi ka përfituar në kundërshtim me ligjin kontratën e konçensionit për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeveurbane dhe prodhimin e energjisë.
Së treti, në përfundim të hetimeve paraprake janë mbledhur provat e nevojshme dhe është provuar fakti se nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k (shoqëria që ka përfituar koncesionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të koncesionit) janë pranuar fatura tatimore shitje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri tregtare të tjera, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare. Shuma totale e faturave tatimore për punime të papaguara është në vlerën 331,920,918 lekë, ndërsa shumat monetare që janë paguar për shlyerjen e këtyre faturave tatimore është në vlerën 329,475,608 lekë.
Akuza ka dokumentuar edhe rolin e gjithësecilit në atë që e quan skemë fiktive pagesash, për të vjedhur paratë nga koncesioni.
”E pandehura Stela Gugalla në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k, i pandehuri Klodian Zoto në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k, si dhe i pandehuri Mirel Mërtiri në cilësinë e pronarit faktit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k, në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me të pandehurin Lefter Koka, kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, të realizuar nëpërmjet dy shoqërive tregtare respektive, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt” si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.
I pandehuri Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k, që janë përfitueset e kontratës së konçensionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij. Marrja e përfitimeve është realizuar nëpërmjet skemës fiktive të kryerjes së punimeve dhe të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt” si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit”.
Për veprimet e mësipërme, të pandehurit Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto janë akuzuar se kanë kryer veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245 e 25 dhe 287/2 iKodit Penal. Ndërsa, i pandehuri Lefter Koka është akuzuar se ka kryer edhe veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 260 dhe 287/2 të Kodit Penal.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka përfunduar hetimet paraprake për të pandehurit Lefter Koka, Alqi Bllako, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri, Serafin Papa, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja, shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k, si dhe shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k dhe ka paraqitur në datë 09.12.2022 në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq.
Ndërkohë, për pretendimet të tjera të paraqitura nga kallëzuesit në këtë procedim penal dhe për fakte dhe episode të tjera që kanë rezultuar gjatë veprimeve hetimore të kryera në këtë procedim penal, është vendosur ndarja e çështjes penale dhe vazhdojnë të jenë ende në fazën e hetimeve paraprake.
Konkretisht, është vendosur ndarja e çështjes penale për këto rrethana:
– Rrethanat dhe faktet që lidhen me pretendimet se janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin në procedurën e kalimit për miratim në Këshillin e Ministrave të projekt vendimit të propozuar nga Ministria e Mjedisit mbi bazën e të cilit është miratuar më pas V.K.M nr.907, datë 17.12.2014 që ka miratuar sigurimin e financimit të nevojshëm të kontratës së konçensionit;
– Rrethanat dhe faktet që lidhen me pretendimet se funksionarët e Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, Ministrisë së Drejtësisë, nëkundërshtim me ligjin kanë kthyer përgjigje pozitive ndaj Ministrisë së Mjedisit lidhur me zbatimin e proçedurës “negocim pa shpallje”, duke përfshirë edhe provat dhe dokumentet që janë gjetur dhe janë nxjerrë nga kompjuterët e sekuestruara në banesën e të pandehurit Klodian Zoto;
– Rrethanat dhe faktet që lidhen me pretendimet se ka pasur mungesë kontrolli në zbatimin e kontratës konçensionare, si dhe rrethanat që lidhen me pretendimet se është dhënë në kundërshtim me ligjin miratimi për prodhimin e energjisë për shoqërinë “Albtek Energy” sh.p.k me vendimin nr.792, datë09.11.2016 për një afat prej 25 vjet;
– Rrethanat dhe faktet që lidhen me personat e tjerë nën hetim, persona fizikë dhe personat juridikë, apo bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar me të pandehurit e mësipërm në kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, të parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal;
– Rrethanat dhe faktet që lidhen me pretendimet se nga shoqëritëtregtare “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k, në bashkëpunim me subjekte të tjera tregtare, është kryer fshehje e të ardhurave dhe shmangie nga taksat dhe tatimet, duke mos kryer deklarime të sakta para organeve tatimore;
– Rrethanat dhe faktet që lidhen që lidhen me punonjës të tjerë në Ministrinë e Mjedisit, për të cilët dyshohet se mundet të kenë bashkëpunuar në kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
– Rrethanat dhe faktet që lidhen me dyshimet se janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin në zhvillimin e procedurës së prokurimit me objekt “Mbyllja e vënddepozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta EKO-Park, Durrës”, me fond limit 1,684,288,721 lekë, si dhe në fazën e ekzekutimit të kësaj kontrate dhe transaksionet e mëvonshme që janë kryer lidhur me fondet e përfituara nëpërmjet kësaj kontrate prokurimi.
Për faktet dhe rrethanat për të cilët është vendosur ndarja e çështjes penale, hetimet paraprake janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar. Në përfundim të hetimeve paraprake do të nformohet publiku për mënyrën e përfundimit të tyre.