Inceneratori i Tiranës, Veliaj: Bashkia e Tiranës ka respektuar ligjin
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se Tirana do të vijojë të jetë një qytet i pastër. Duke folur në Report TV për kalimin e landfillit të Sharres nën administrimin shtetëror, Veliaj tha se Bashkia e Tiranës ka zbatuar ligjin dhe ka respektuar të gjitha procedurat.
“Qartazi ajo që kuptuam dje është se administratori shtetëror do të vijojë të respektojë kontratën. Siç e patë kërkoi pagesat, pra nuk do t’i bjerë njeri qylit dhe nuk do të shpartallojmë një investim publik që është për pastrimin e qytetit. Nëse në këtë proces dikush ka bërë gabime të mbajë përgjegjësi një më një, por di të them se Bashkia e Tiranës është treguar korrekte. Jemi një nga gjashtë bashkitë kliente. Jemi vërtet klienti më i madh dhe natyrisht që kemi dhe detyrimet më të mëdha për pastrimin e qytetit, por në këtë fazë administrimi shtetëror heq dhe të gjitha ato spekulime se kujt po i shkojnë paratë. Qartazi, gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. Kush mendon se vihet në pushtet duke gënjyer dhe duke predikuar Tiranën e zhulit, duhet të kujtojë që ajo Tiranë nuk do të kthehet më. Tirana e plehrave kapicë, e zhulit dhe e një vendi pa Zot nuk do të kthehet më. Sot me administratorin shtetëror kemi vendosur këtë raport të ri”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë u shpreh se edhe nga deklarata e administratorit të ri të landfillit kuptohet që procedurat e ndjekura kanë qenë konform ligjit.
KOHA JONË SONDAZH

