”Influencat ruse janë prezentë në Ballkan”, PD: Shqipëria të dalë nga ”Open Balkan”
Partia Demokratike kërkon që qeveria shqiptare, të dalë nga nisma ”Open Balkan”, ku pjesë janë: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Kërkesa e PD-së vjen pasi Serbia nuk dënoi luftën ruse në Ukrainë.
Deputeti i PD-së, Kreshnik Çollaku tha se influenca ruse ne Ballkan është prezente, ndërsa nënvizoi se qeveria ”Rama 3” duhet të ridimensionojë marrëdhëniet me Serbinë.
”Beteja për Ukrainën nuk është vetëm për këtë shtet, por për të gjithë Europën, për paqe në botë. Mendoj se është një front që nuk do të ngelet i vetmi. Shqetësimi im është fronti i dytë, që ka për të qenë Ballkani. Influencat ruse në këtë vend janë prezentë. Duhet një ridimensionim i raporteve tona me fqinjët, me Rusinë, me Serbinë. Në fakt nuk është lapsus, por është Rusia e vogël. Nisma të tilla si ”Open Ballkan” që i japin bonuse këtyre projekteve, këto janë të rrezikshëm. Ju kërkoj që të dilni nga ”Open Balkan”. Dilni me nder, se do të vijë dita që të dilni me turp”.