Informacionet e fundit/ Rrëshqitje dherash në disa bashki, në shumë fshatra ka mungesë të energjisë

Bashkia Durrës u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet në këmbë apo me makinë nëse nuk janë të domosdoshme. Në dalje të qytetit të Klosit, nyja që lidh qytetin me rrugën e Arbrit, për shkak të pranisë së dendur të ujit, një pjesë e rrugës ka pësuar dëmtime.

Për këtë arsye, është bërë devijimi i lëvizjes së mjeteve që lëvizin nga Klosi për në Tiranë. Qytetarët e bashkisë Klos dhe Mat, që duan të lëvizin në drejtim të Tiranës deri në pastrimin e rrugës nga firma kontraktore do të ndjekin aksin e vjetër Klos-Burrel-Ulëz.
Nga ana tjetër, në juglindje, dhjetëra fshatra mësohet se janë pa energji elektrike.

Pa energji elektrike janë fshatra të njësive administrative të Vithkuq, Gorë dhe disa fshatra të njësisë administrative Vreshtas e Libonik. Pa energji elektrike janë të gjitha fshatrat e njësisë administrative Leskovik si dhe disa fshatra të njësisë administrative Moglicë si dhe fshatra të njësisë administrative Dardhas.

Për shkak të stuhisë shoqëruar me erëra të forta grupet e punës të OSSHE e kanë të pamundur ndërhyrjen mbrëmjen e sotme për të rikthyer energjinë elektrike në fshatrat e thellë malorë. Reshjet e dendura të ditës së sotme kanë shkaktuar probleme edhe në aksin rrugor Përmet, Tre Urat.

SHKARKO APP