”Iniciativa Demokratike”, grupi më i ri në PD nga Kadilli: As Basha, as Berisha nuk fitojnë
Ish-kandidati për kryetar dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së Fatbardh Kadilli, është nismëtar i grupit më të ri në PD të quajtur ”Iniciativa demokratike”. Kadilli e ka cilësuar si nevojë imediate që PD-ja ka për t’u rikthyer në shërbim të misionit të saj, ndërkohë që sipas tij është përçarë nga përplasja Berisha-Basha.
“Ne besojmë se asnjëra palë nuk jep zgjidhje të qëndrueshme. Nuk janë zgjidhja as për PD-në dhe as për të ndërtuar opozitë të pastër. Asnjëri nuk bashkon, nuk forcon, nuk na shton, nuk fiton. Nuk jep një fokus të qartë e të vërtetë opozitar, një alternativë konkurruese”, deklaroi Kadilli.
”Iniciativa Demokratike” do të prezantohet me siglën IDE, do të veprojë si një grupim brenda Partisë Demokratike, me synimin e një opozitarizmi alternativ. Mbështetës i kësaj nisme është edhe sekretari i sapoemëruar për çështjet ligjore dhe zgjedhore në PD, Ivi Kaso. Arben Ristani, Enno Bozdo, analisti Artan Hoxha, Dritan Shano ishin emrat të tjera të cilët shprehën gatishmërinë për të kontribuar në këtë iniciativë që të sjellin një opozitë të fortë përballë Partisë Socialiste.