Integrimi, Gjosha: Reforma në drejtësi nuk nënkupton vetëm burgosje të politikanëve
Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha në një intervistë dhënë për “Ora News” u shpreh optimiste se Shqipëria do të marrë një rekomandim pozitiv në 9 nëntor nga Bashkimi Europian.
“Unë jam optimiste sepse ne kemi punuar që Shqipërisë ti jepet një rekomandim pozitiv këtë vjeshtë ose pas pak ditësh.
Ajo çka ndodhi me reformën në drejtësi ishte lajmi më i mirë për shqiptarët, por edhe për ndërkombëtarët të cilët kanë investuar te kjo reformë. 9 nëntori do të jetë ditë pozitive”- u shpreh Gjosha.
Teksa theksoi se Shqipëria i ka përmbushur kriteret për të kaluar në fazën tjetër, ajo e çeljes së negociatave, ministrja e Integrimit nënvizoi se kjo fazë do ta bëjë dialogun më të thjeshtë me BE-në, dhe do të jetë komunikim më i thjeshtë.
“Faza që vjen është e vështirë. Duhet të bëhemi gati me strukturat negociuese. Pjesa më e vështirë është implementimi i reformës në drejtësi.
Po hasim disa vështirësi, por Shqipëria ka hyrë në një hap pa kthim pas. Ajo reformë do të zbatohet.
Implementimi i reformës nuk do të thotë vetëm burgosje të politikanëve.
Ajo që ne duhet të kryejmë është që të fillojmë zbatimin e ligjit të Vettingut, sepse që aty fillon drejtësia dhe duhet të përzgjedhim prokurorët më të aftë që ka Shqipëria.
Më pas është ngritja e institucioneve të reja. Fazat e implementimit janë më të rëndësishme se burgosja e një personi për të sakrifikuar në emër të reformës në drejtësi”- u shpreh ministrja Klajda Gjosha.
KOHA JONË SONDAZH

