Integrimi në BE? Jorida Tabaku: Vendet anëtare jo të drejta me Shqipërinë
Shqipëria duket larg Integrimit në BE. Kryetarja e Komisionit të Integrimit Europian, Jorida Tabaku, pranon që kushtet nuk janë plotësuar, por nënëvizon se vendet anëtare nuk janë treguar të drejta në disa raste.
“Vitet e fundit kemi parë deklarata të forta dhe një mbështetje të jashtëzakonshme nga vendet anëtare, njëkohësisht edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që lidhen me faktorë jo të brendshëm. Të gjithë janë koshient që kriteret nuk janë plotësuar, që disa nga vendet anëtare janë duke u fshehur pas vetos së Bullgarisë, duke thënë po, të vazhdojë procesi. Për ne si opozitë, këtë e shikojmë si një mundësi për të ecur para, paçka faktit që gjykojmë që kriteret nuk janë plotësuar”,-tha për ”A2cnn”.
Për Tabakun, metodologjia e re e zgjerimit po mban pezull avancimin e procesit. “Për shembull, më e thjeshta prokurimi publik, lufta ndaj korrupsionit. Duket sikur ndodhemi në një mjegull, e cila po mban pezull të gjithë administratën publike, po ul dëshirën që kanë qytetarët shqiptarë për procesin e integrimit, po krijon paqartësi. Kjo paqartësi është totalisht e panevojshme”.