INUK padit Bashën: Të pezullohet nga detyra si kryebashkiak

Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar padit në prokurori kryetarin e bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe drejtorin e Policisë së Bashkis së Tiranës Florenc Hoxha.

Gjithashtu kërkon pezullimin nga detyra të dy drejtuesve të lartë të bashkisë. Ata akuzohen për shpërdorim detyre me dhënien e lejes së ndërtimit për një objekt shumë-katësh në Rrugën e Elbasanit.

“Leja e ndërtimit është dhënë në kundërshtim me ligjin dhe në mungesë të një plani” thuhet në njoftimin e INUK të ardhur në redaksi rreth orës 13:40 të 24 janarit 2015. Gjithashtu thuhet se ka bërë kallëzim edhe për firmën ndërtuese ‘Gerard-a. shpk.

Njoftimi i plotë i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar

"Ndёrtimor Urbanistik Kombёtar kallёzon penalisht kryetarin e Bashkisё sё Tiranёs z.Lulzim Basha, kryeinspektorin e Inspektoriatit Ndёrtimor Urbanistik tё Bashkisё Tiranё z. Florenc Hoxha, si dhe anёtarёt e Kёshillit Teknik tё Bashkisё Tiranё, pёr veprёn penale “Shpёrdorim tё detyrёs” i kryer nё bashkёpunim, i parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal. Njёkohёsisht Inspektoriati Ndёrtimor Urbanistik Kombёtar, kallёzon penalisht subjektin ndërtues “GERARD-A” sh.p.k si dhe investitorin, shtetasin Fatjon Mahmudaj, pёr veprёn penale “Ndёrtim i paligjshёm” parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal.

Bëhet fjalë për një objekt shumëkatësh multifunksional, që po ndërtohet mes dy objekteve publikë në rrugën e Elbasanit; shtëpia e fëmijës “Zyber Hallulli” dhe shkolla e mesme e gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”.Leja e dhënë për këtë objekt nga kryetari i Bashkisë së Tiranës është miratuar në kundërshtim me parashikimet ligjore dhe në mungesë të një plani të detajuar vendor (PDV) për zonën ku kryehet ndërtimi. Sipas parashikimeve ligjore, çdo fazë e miratimit të një leje ndërtimi, duhet të publikohet në rregjistrin e planifikimit të territorit, gjë që nuk është bërë. Në çastin e miratimit të lejes, subjekti ndërtues ishte i mangët në dokumentacionin tekniko-ligjor.

Përveç këtyre, leja për ndërtimin e objektin nuk respekton asnjë nga kushtet zhvillimore. Mund të përmend disa detaje: Ky objekt, është kaq afër shkollës sa që për rrethim po përdor faqen e saj. Nga ana tjetër nuk ka parashikuar asnjë metër largësi nga rruga, (edhe në leje është shkruar kufiri nga rruga 0.00 m). Ndërkohë që dy godinat publike janë vetëm tre kate lartësi, për objektin në fjalë lartësia maksimale është parashikuar 9 kate. Të gjitha këto shkelje, duhet të ishin konstatuar nga inspektoriati Urbanistik i Bashkisë së Tiranës, në çastin kur subjekti ka bërë njoftimin për fillimin e punimeve. Gjë të cilën nuk e ka bërë. Ndërkohë që investitori dhe subjekti ndërtues nuk duhet të fillonin punimet, bazuar në një leje të dhënë në kundërshtim me ligjin.

Këto janë arsyet e kallëzimit penal bërë nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar në adresë të këtyre shtetasve. Për funksionarët publikë, INUK kërkon edhe pezullimin e tyre nga ushtrimi i detyrës".

 

Kallëzimi penal, reagon Basha: Padia nga gjobëvënësit e Ramës

Bashkia e Tiranës reagoi sot pas padisë që bëri në adresë të tij, Inspektoriati Urbanistik i Ndërtimit. Në një deklaratë për mediat Bashia shprehet se leja për të cilën akuzohet është dhënë në bazë të ligjit dhe se padia është bërë nga gjobëvënësit e INUK.

Deklarata e Plotë e Bashkisë së Tiranës

Edi Rama ka intensifikuar një fushatë shpifjesh ndaj Bashkisë së Tiranës dhe për këtë ka zgjedhur figurën e dhunës dhe korrupsionit qeveritar të shkatërrimit të pasurive dhe gjobave korruptive ndaj qytetarëve, drejtoreshën famëkeqe të INUK, Dallëndyshe Bicaj.

Leja e miratuar nga  Bashkia Tiranë është në përputhje të plotë me Planin e Përgjithshëm Vendor dhe legjislacionin në fuqi për planifikimin e territorit. Përputhshmëria e dokumentacionit të çdo leje të miratuar nga Bashkia, me përcaktimet e PPV apo legjislacionit në fuqi është lehtësisht e verifikueshme nga çdo autoritet apo palë e interesuar.  Është respektuar lartësia e propozuar  nga Plani i përgjithshëm Vendor për strukturat e kategorisë banim, lartësi e cila është saktësuar edhe në Planin e Detajuar Vendor, mbështetur në përcaktimet e nenit 11 dhe 25 të Rregullores së Planit të Përgjithshëm Vendor të  Bashkisë Tiranë dhe lartësinë e propozuar për çdo nënnjësi, siç sqaruam më sipër.

Janë respektuar të gjitha distancat e përcaktuara në nenin 40 të rregullores uniforme të kontrollit të zhvillimit të territorit, miratuar me VKM nr.502 dt.13.07.2011, si ato mes strukturave, nga kufiri i pronës që zhvillohet apo nga trupi i rrugës (vija e ndërtimit e krijuar nga ndërtimet ekzistuese ose e përcaktuar nga PDV, sipas përcaktimeve të pikës 13 të këtij neni).

Koeficienti i shfrytëzimit të pronës është 40%, siç parashikohet në planin e përgjithshëm vendor dhe planet e detajuara vendore dhe ligjin e planifikimit të territorit, shumë larg lejeve me koeficient  80% – 120%, të miratuara nga Rama më parë, vetëm pak metra më larg. Sipas planit të përgjithshëm vendor është bërë shpërndarja e barabartë e metrave katrorë ndërtim për çdo metër katror pronë që i nënshtrohet zhvillimit.

Pra, bien të gjitha mashtrimet e Edi Ramës përmes drejtoreshës famëkeqe të INUK, Dallëndyshe Bicaj ndaj së cilës Bashkia e Tiranës po përgatit kallëzim penal për veprën penale, kallëzim të rremë, parashikuar në nenin 305 i Kodit Penal.

 

Ndërkohë, në Bashkinë e Tiranës kanë mbërritur dhe vazhdojnë të mbërrijnë me dhjetëra denoncime nga qytetarë që janë goditur dhe dhunuar paligjshmërisht dhe u janë vënë gjoba korruptive nga INUK i Dallëndyshe Bicajt, Ergys Hoxhës dhe Edi Ramës.

Bashkia e Tiranës siguron qytetarët se çdo rast të denoncuar, për prishje në kundërshtim me ligjin dhe për gjoba korruptive nga përmbaruesi personal i Dallëndyshe Bicajt po trajtohet me seriozitet dhe do të dërgohet para drejtësisë.

 

Bashkia e Tiranës fton qytetarët e prekur nga banda e INUK të vazhdojnë denoncimet e këtyre rasteve, pranë Bashkisë së Tiranës. 

SHKARKO APP