Investigimi i Rai3, Bardhi në Kuvend: Keni grisur Kushtetutën për Ramën. Nuk u prish imazhi i Shqipërisë, por i qeverisë
Këtë pasdite të së hënës ka seancë plenare në Kuvend dhe kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi foli për investigimin e televizionit italian Rai3, që hidhte akuza në drejtim të qeverisë Rama. Bardhi thekson se Kuvendi është gati që të grisë edhe rregulloren, sa herë që ka akuza në drejtim të Ramës. Për të investigimi nuk prishi imazhin e Shqipërisë, por të qeverisë.
”Ju keni grisur rrregulloren e Kuvendit, sa herë që Ramës i duhet të përballet me akuza. Rama fshihet sa herë duhet të përballet me të vërtetën. Kuvendi të distancohet nga sjellja e Ramës ndaj Rai3. E vërteta turpëron Ramën dhe jo Shqipërinë.
Të thuash të vërtetat në lidhje me Edi Ramën nuk ka të bëjë me imazhin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, imazhi i Engjëll Agaçit, nuk është imazhi i Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Imazhi i shqiptarëve është që punojnë me ndershmëri, që shkëlqejnë në çdo sektor. Çfarë mund të thuash për qeverinë e një vendi, që funksionarët e vet i ka pasur të dënuar për vepra kriminale. Rezulton se punonjësit e policisë bashkëpunojnë me krimin e organizuar”,-tha Bardhi.