Investimi në Sazan nga dhëndri i Trump, Rama: Xhevahiri më i ndritshëm i turizmit mesdhetar, do të sjellë ajkën e nivelit më të lartë botëror
Kryeministri Edi Rama i ftuar këtë mbrëmje në ”Opinion”, pranon se grupi i përfaqësuar nga dhëndri i ish-Presidentit amerikan Donald Trump ka dorëzuar zyrtarisht projektin për investim në ishullin e Sazanit. Rama tha se sa i përket Zvërnecit, nuk kanë ende një projekt zyrtar të dorëzuar nga ky grup. Duke folur për Sazanin, nëse projekti realizohet, Kryeministri shprehet se ky ishull do të shndërrohet në xhevahirin e turizmit në Mesdhe.
”Po ndodh ajo që po ndodh dhe do të ndodhë edhe me të tjera investime. Ka ardhur ky grup që ka në krye dhëndrin e Presidentit Trump. Ne nuk kemi akoma asnjë projekt të dorëzuar zyrtarisht për pjesën e Zvërnecit. Zyrtarisht është dorëzuar një kërkesë për Sazanin nga ky grup për të bërë në Sazan një investim që ta transformojë Sazanin në atë që ka qenë dëshira e paardhësve të mi.
Shpresojmë që Sazani të bëhet xhevahiri më i ndritshëm i kurorës së turizmit mesdhetar, një destinacion turistik i cili të jetë një destinacion i nivelit më të lartë të harmonizmit mes natyrës dhe ndërhyrjes së njeriut dhe që të sjellë konsumatorët e nivelit më të lartë të turizmit në botë. E vë Shqipërinë në nivelin më të lartë që disponojnë të tilla adresa në perimetrin e tyre dhe i sjell Shqipërisë një burim të ri të ardhurash për shqiptarët, për buxhetin e shtetit, për ekonominë tonë”.
Kryeministri thekson se nëse realizohet ky investim në Sazan, do të sjellë turizmin e nivelit më të lartë botëror, çka përkthehet në më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit.
”Këtu bëhet fjalë për të sjellë turizmin e nivelit më të lartë që është një turizëm që ndryshe nga turizëm masiv, nuk ndot, që me një klient sjell në ekonominë e vendit të ardhura sa për 100 turistë që vijnë me çantë. Ne kemi diskutuar për vizion. Qëllimi është të marrim shkas nga të gjitha zhvillimet e tjera dhe të bëjmë një zhvillim që të jetë një shembull se si investohet në harmoni me natyrën dhe krijohet një impakt ekonomik shumë më i fortë”, tha Rama.