Ironia e presidentit: E ka dëgjuar xhaxhi Gramozi (Ruçi) se po shkelet Kushtetuta?!
Sot Presidenti Republikës, Meta ka bërë letër publike, sqaron se populli ngrihet kur rrëzohen institucionet.
Ndër të tjera Meta shkruan se “Sa shkresa zyrtare i ka drejtuar Presidenti i Republikës, Kuvendit dhe Kryetarit të tij, ku i ka kërkuar bashkëpunim për të parandaluar situatën e rëndë që po krijohej për shkak të bllokimeve të qëllimshme të funksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe zbrazjes së Gjykatës Kushtetuese? Nuk numërohen.
Po përgjigje nga Kuvendi? Zero në mënyrë zyrtare. Po publikisht? E kanë dëgjuar të gjithë shqiptarët: Jemi më mirë pa Gjykatë Kushtetuese. Pse? Se bëjmë çfarë të duam e s’na kontrollon njeri.
Sa shkresa zyrtare i ka dërguar Presidenti, Kuvendit vetëm këtë vit për tejkalimin e situatës së rëndë në Gjykatën Kushtetuese? Nuk numërohen. Të gjitha me etikë dhe frymë pozitive për bashkëpunim në respekt vetëm të Kushtetutës dhe ligjit për Gjykatën Kushtetuese. A mori ndonjë përgjigje bashkëpunuese? Zero.
Sa herë e ka paralajmëruar Presidenti, Kryetarin e KED i cili ka zero kompetencë në Kushtetutë që të respektojë radhën kushtetuese dhe ligjin e Gjykatës Kushtetuese për të evituar përplasjet e mundshme midis institucioneve të Presidentit dhe Kuvendit? Nuk numërohen. Po reagimi i tij? Shkeli me të dyja këmbët edhe vendimin e vetë KED-së, e cila respektoi radhën e vakancave në mënyrë korrekte President, Kuvend, President, Kuvend.
Po ky Dvorani që s’ka asnjë kompetencë tjetër veç të qenit korrier i vendimeve kolegjiale të KED, përse nuk i nisi të katër vendimet njëherazi edhe Presidentit edhe Kuvendit në një ditë siç vendosi KED? Kush i tha këtij t’ia niste Presidentit të dy vakancat njëherazi dhe Kuvendit t’ia çonte me kokën e tij 6 ditë më vonë?
Nëse sipas këtij, radha s’qenka e rëndësishme, edhe pse është detyrim kushtetues, lind pyetja e pafajshme e çdo fëmije: Përse xhaxhi Dvorani nuk ia nisi në fillim dy vakancat Kuvendit e pas 6 ditësh t’ia çonte Presidentit? Se ke degjuar ti xhaxhi Dvorani, xhaxhi Gramozin dhe xhaxhi Ulsiun që thonë çdo ditë që Parlamenti është i pari se jemi Republikë Parlamentare, e jo Presidenciale?”
Dhe Presidenti vazhdon me sqarime të tjera domethënëse në letrën e hapur sot në mëngjes drejtuar popullit.
KOHA JONË SONDAZH

